Dhunoi gruan, fëmijët e mitur dhe hapi zjarr drejt policisë, arrestohet 45-vjeçari në Tiranë

2 Minuta Lexim

Policia ka vendosur në pranga një 45-vjeçar, i cili ka dhunuar bashkëshorten dhe fëmijët e tyre të mitur në banesën në fshatin Kus të Tiranës.

Gjithashtu Luan Alla, në momentin e ndërhyrjes së policisë, ka qëlluar me kallashnikov në drejtim të tyre duke u rrezikuar jetën, dhe më pas duke përfituar nga errësira është larguar në drejtim të një zone të pyllëzuar.

Efektivët u vunë në ndjekje të tij dhe pas gati dy orësh kërkimesh në pyll, bënë të mundur kapjen e tij.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kus, një shtetas po dhunonte bashkëshorten dhe fëmijët e tyre dhe posedonte armë zjarri, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e këtij shtetasi, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës.

Mbrëmë, rreth orës 23:00, në kuadër të operacionit “Forest”, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në banesën e shtetasit L. A., i cili në momentin që ka parë punonjësit e Policisë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre dhe më pas, duke përfituar nga errësira dhe nga terreni, është larguar në drejtim të një zone të pyllëzuar.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe pas gati 2 orë kërkimesh në pyll, kanë bërë të mundur neutralizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit L. A., 45 vjeç.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, me fishek në fole, që ky shtetas e kishte me vete, si dhe një mjet prerës (thikë), të cilat i posedonte pa leje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull