Fillon konklava për zgjedhjen e Papës

4 Minuta Lexim

Konklava fillon këtë pasdite, të mërkurën, më 7 maj 2025, ku në orën 04:30 të pasdites portat e Vatikanit mbyllen pas 133 kardinalëve . Fillon rituali për zgjedhjen e Papës së ri, pasardhësit të Papa Françeskut, i cili dha frymën e fundit më 21 prill 2025, të hënën e Pashkëve.

Procesi, i cili daton që nga Mesjeta, fillon me një meshë publike në Bazilikën e Shën Pjetrit, përpara se kardinalët të shkojnë në Kapelën Sistine për të filluar Konklavin e mbyllur. Gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj, ata do të jenë në izolim, pa kontakt me botën e jashtme – siç diktojnë tradita dhe teknologjia, me përdorimin e pajisjeve që bllokojnë çdo komunikim.

Asnjë Papë nuk është zgjedhur që nga dita e parë e konklavës prej shekujsh, kështu që votimi ka të ngjarë të vazhdojë për disa ditë derisa një nga “princat e Kishës” me kapelë të kuqe të marrë shumicën e kërkuar prej dy të tretash për t’u bërë Papa i 267-të.

Sot do të zhvillohet vetëm një votim. Kardinalët mund të votojnë deri në katër herë në ditë. Tymi i zi nga oxhaku i Kapelës Sistine do të thotë një votim i pasuksesshëm, ndërsa tymi i bardhë dhe tingulli i kambanave do t’i njoftojnë botës se Kisha me 1.4 miliardë anëtarë ka një udhëheqës të ri.

Rezultati i pasigurt

Sinodi mbledh së bashku 133 kardinalë nga 70 vende, një numër rekord që pasqyron përpjekjet e Françeskut për të forcuar praninë e Kishës në zona të largëta të botës. 80% e zgjedhësve janë emëruar prej tij, gjë që rrit shanset për të zgjedhur një pasardhës me një vizion të ngjashëm progresiv.

Megjithatë, kardinalët duken të ndarë. Disa bëjnë thirrje për një vazhdimësi të frymës reformiste të Françeskut, ndërsa të tjerë dëshirojnë një kthim te vlerat tradicionale dhe një “stabilitet” më të madh.

Kandidatët kryesorë thuhet se janë kardinali italian Pietro Parolin dhe filipinasi Luis Antonio Tagle, por nuk ka dalë ende një favorit i qartë. Nëse bëhet e qartë se asnjëri kandidat nuk ka shumicën e kërkuar prej dy të tretave, votat mund të zhvendosen te kandidatët alternativë, bazuar në gjeografi, identifikim teologjik ose gjuhë të përbashkët.

Ndër emrat e tjerë që dëgjohen janë:

Jean-Marc Avelin (Francë)
Peter Erdo (Hungari)
Robert Prevost (SHBA)
Pierbattista Pizzaballa (Itali)

Kohëzgjatja mesatare e dhjetë konklavave të fundit ishte pak më shumë se tre ditë, me më të shkurtërin (në vitin 2013) që zgjati vetëm dy. Kardinalët duan një vendim të shpejtë edhe këtë herë, në mënyrë që të mos përforcojnë imazhin e një Vatikani të ndarë nga brenda apo të një Kishe në krizë.

Zgjedhja e Papës së ri shkon përtej kufijve të ngushtë të Kishës Katolike. Ai është një figurë globale me ndikim moral dhe autoritet shpirtëror që nuk ka të krahasuar me asnjë udhëheqës tjetër në botë.

Mbetet e hapur pyetja nëse kardinalët do të zgjedhin përsëri një Papë nga Jugu global, siç ndodhi në vitin 2013 me zgjedhjen e Françeskut argjentinas, a do të kthehen në Evropë, apo ndoshta do të guxojnë të zgjedhin Papën e parë nga Shtetet e Bashkuara.

Burimi: Reuters

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull