Nga Bahri Cani-
Qeveria gjermane vazhdon misionin ushtarak në Kosovë, pritet vendim i Parlamentit
Qeveria gjermane ka vendosur të zgjasë mandatin e misionit ushtarak në Kosovë. Së bashku me Kosovën janë zgjatur edhe disa misione të tjera të përkohshme. Vendimi i qeverisë tani duhet të miratohet edhe në Bundestag.
Debati për gjendjen në Kosovë dhe vazhdimin zyrtar të këtij misioni do të mbahet së shpejti në Bundestag. Por Qeveria ka vendosur që ky mandat të zgjatet, e në Bundestag ky mision ka pasur gjithmonë në 25 vitet e fundit një mbështetje solide – CDU, CSU, SPD dhe ekologjistët (si dhe liberlatët, të cilët tani nuk janë në Bundestag_ kanë qenë gjithmonë pro misionit paqëruajtës në Kosovë.
Ndërsa AfD dhe e Majta zakonisht kanë votuar kundër. Por së shpejti do të shihet se cilat janë argumentimet e politikanëve në Bundestag dhe a do të lidhet gjendja e sigurisë në Kosovë me disa rajone të tjera. Do të jetë po ashtu interesante të shihet se si vlerësohet roli i Serbisë në Kosovë dhe rajon. Sidoqoftë, misioni do të vazhdohet.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, tha se ky vendim tregon përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit.
Forcat gjermane të Bundeswehr-it janë të pranishme në Kosovë që nga viti 1999, kur u vendosën si pjesë e misionit KFOR të udhëhequr nga NATO.
Në Kosovë aktualisht janë të stacionuar rreth 400 ushtarë gjermanë. Por gjithmonë lihet e hapur mundësia e dërgimit të më shumë ushtarëve, sepse, siç tha Kornelius, “situata e sigurisë në vend mbetet e brishtë”.
“Një Kosovë e qëndrueshme është me rëndësi thelbësore për Gjermaninë dhe të gjithë Evropën”, tha Kornelius.
Misioni në Kosovë vazhdohet zyrtairsht çdo vit në Bundestag.