Fëmijë të një kopshti shtetëror në Gramsh dyshohet se janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar. Ngjarja ka ndodhur në fillim të kësaj jave, kur grupi i fëmijëve u paraqit në spital me simptoma, si të vjella dhe temperaturë.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se janë marrë gjithsej 72 mostra për analiza laboratorike, prej të cilave janë veçuar 30 për ekzaminim.
Nga këto mostra, 12 fëmijë dyshohet të jenë prekur nga helmimi, ndërsa sipas të njëjtave burimeve një rast është konfirmuar që kemi të bëjmë me helmim nga ushqim i kontaminuar me salmonelë.
Analizat laboratorike tregojnë praninë e bakterit të salmonelës, duke ngritur dyshimet se helmimi ka ardhur nga ushqimi i ofruar nga kompania private që shërben në kopshtin shtetëror.
Nga ana tjetër analizat ushqimore për ushqimin e dyshuar nuk janë kryer ende. Autoritetet e Agjencisë Kombëtare të Ushqim, pritet të marrin mostra dhe të kryejnë kontrolle brenda ditës së sotme.
Për momentin, nuk ka ende një reagim zyrtar nga institucionet përkatëse lidhur me ngjarjen.