Kandidatja e Partisë Socialdemokrate, Limonera Bozha, ka reaguar pas arrestimit të babait të saj, i cili përgjatë natës u ndalua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për korrupsion zgjedhor.
Kandidatja e Partisë Socialdemokrate Limonera Bozha ka reaguar sërish pas njoftimit të Policisë se babai i saj, shtetasi me ininciale P. B., 63 vjeç, banues në fshatin Portëz është arrestuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Në një deklaratë për mediat, Bozha, e cila për 12 vite me radhë ka qenë pjesë e Partisë Socialiste, ndërkohë që në zgjedhjet e 11 majit kandidoi në logon e PSD-së, u shpreh se asnjëherë nuk ka blerë vota, as kur ishte pjesë e socialiste dhe as tani.
“Thotë që akuzohet për blerje votash është e pavërtetë 100% kjo gjë e kam thënë edhe në një intervistë tjetër se kam qenë 12 vite pjesë E PS dhe nuk kam blerë kurrë vota për ata dhe nuk ble vota për asnjë. Unë jam një vajzë e qytetit të Fierit, babai im është shumë i respektuar ka ardhur të mbështesë vajzën e tij, po kurrë në asnjë moment nuk është folur dhe menduar që të blihen vota. Është një shpifje ndaj meje dhe familjes time”, ka thënë ajo.
Ndërkohë që kujtojmë se më herët Bozha akuzoi dhe drejtoi gishtin për arrestimin e të atit nga “ish-kolegët” e saj socialistë, por pa dhënë emra të përveçëm.