Inter-Barcelona magjepsi botën, mediat ndërkombëtare e shpallin “epike”: Më e madhja në historinë e Champions-it!

2 Minuta Lexim

“Faleminderit Inter, faleminderit Barcelona”. Ky është titulli i BBC, që përmbledh në mënyrë të përkryer emocionet e përjetuara në gjysmëfinalen e kthimit të Ligës së Kampionëve, që përfundoi 4-3 për Interin dhe që do të mbahet mend gjatë.

Ish-sulmuesi dhe tani analisti Alan Shearer e cilësoi këtë sfidë si një “ndeshje epike”, ndërsa vetë BBC hapi një sondazh për lexuesit: “A është kjo gjysmëfinalja më e bukur në historinë e Champions League?”

Edhe Telegraph nuk ka asnjë dyshim: “Këto janë gjashtë arsyet pse Inter-Barcelona është ndeshja më e madhe në historinë e Champions-it”.
A Bola, me një dozë humori dhe poetike, shkruan: “Nëse futbolli do të kishte ekzistuar në shekullin XVI, kjo ndeshje do të ishte një pikturë e Leonardo da Vinçit”.
Për Le Figaro, ishte një përballje “legjendare”, ndërsa The Guardian dhe L’Équipe e quajnë një “ndeshje epike”. Në Argjentinë, Olé feston heroin Lautaro Martínez dhe përdor të njëjtin epitet.

Në Spanjë, ku emocionet ishin të përziera, El Mundo Deportivo flet për një “lamtumirë epike” të Barcelonës, ndërsa Marca thekson dramën e minutës së 93-të me titullin: “Na mungoi vetëm një minutë”, mbi një foto të Lamine Yamal të shtrirë në fushë i shteruar nga forcat pas barazimit të Acerbit që çoi ndeshjen në shtesë.

Madje edhe mediat amerikane u përfshinë nga ethet e kësaj ndeshjeje që vjen në prag të Botërorit të Klubeve dhe Kupës së Botës në SHBA: CNN e quajti një ndeshje me “dramë të pastër dhe momente magjike”, ndërsa The Athletic foli për një “ndeshje sensacionale”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull