Nga Albert Vata-
Kardinali amerikan Robert Francis Prevost është zgjedhur Papa i 267-të i Kishës Katolike dhe pritet të shfaqet së shpejti në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit si udhëheqësi i ri shpirtëror i mbi 1.4 miliardë katolikëve në mbarë botën.
Prevost, 69 vjeç, me origjinë nga Çikago, Illinois, bëhet Papa i parë në histori që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai do të njihet me emrin papnor Leoni XIV.
Një figurë me përvojë të gjerë ndërkombëtare, Papa Leoni XIV e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij mes njerëzve në Amerikën Latine, duke shërbyer si misionar në Peru për më shumë se një dekadë. Më pas, ai u emërua peshkop i dioqezës së Chiclayo-s, ku shërbeu nga viti 2014 deri në vitin 2023. Së fundmi, ai udhëhoqi Dikasterin për Ipeshkvijtë në Vatikan, një nga zyrat më me ndikim në kurinë romake, përgjegjëse për emërimin e peshkopëve në të gjithë botën.
Në një intervistë të dhënë për Vatican News, pak pas emërimit në këtë detyrë, Prevost u shpreh: “Unë ende e konsideroj veten misionar. Thirrja ime, si ajo e çdo të krishteri, është të jem misionar, të shpall Ungjillin kudo që të jesh.”
Në fjalimin e tij të parë si Papë, Leoni XIV iu drejtua turmës së mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit me fjalët: “Paqja qoftë me ju të gjithë!”. Ai shpjegoi se kjo është përshëndetja e parë e Krishtit të ringjallur, “bariut të mirë që dha jetën për delet e tij”, duke theksuar dëshirën që kjo paqe të depërtojë në zemrat dhe në familjet e njerëzve.
Më tej, ai shprehu mirënjohjen ndaj Kolegjit të Kardinalëve që i besuan këtë mision të lartë:
“Dua të falënderoj vëllezërit e mi kardinalë që më zgjodhën për të qenë pasardhësi i Shën Pjetrit, për të ecur së bashku si një Kishë e bashkuar, gjithnjë në kërkim të paqes dhe drejtësisë. Jam i vendosur të punoj krah për krah me burra dhe gra që i qëndrojnë besnikë Jezu Krishtit, pa frikë, për të shpallur Ungjillin dhe për të qenë misionarë të së Vërtetës.”