Kosova tre muaj pa kuvend.Seanca e radhes ne diten e zgjedhjeve ne Shqiperi

2 Minuta Lexim

Nga Bahri Cani-

As tre muaj pas zgjedhjeve Kosova nuk ka Kuvend funksional
Kryetarja e Bundestagut është zgjedhur në votimin e parë. Kancelari i ri gjerman Friedrich Merz është zgjedhur në votimin e dytë. Papa Leo XIV është zgjedhur brenda 24 orësh pas fillimit të votimit të Konklavës.
Në Kosovë, në tremujorin pas zgjedhjeve me 9 shkurt, dështoi edhe përpjekja e 13-të për zgjedhjet e kryetares apo kryetarit të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare, por ajo nuk do të heqë dorë nga kandidatura e saj.
Partitë e deritanishme opozitare nuk duan ta votojnë Albulena Haxhiun, sepse thonë se “është jounifikuese”. Ato thonë se do ta votonin ndoshta ndonjë kandidat/e tjetër, por e drejta e kandidaturës i takon VV.
Avni Dehari, drejtues i seancës konstitutive, me rekomandimet e VV tani po kërkon që të votohet me vota të fshehta, mbase me shpresë se dikush nga deputetët e partive të tjera do të votojë me vota të fshehta kandidaten e VV.
Por propozimi për votimin e fshehtë duhet të votohet me vota të hapura, e ate prapë e kanë mbështetur vetëm 56 deputetë të VV, një deputet ishte kundër, të tjerët nuk votuan fare. Nevojiten 61 vota.
Me një fjalë, nuk shihet kurfarë zgjidhje në horizont, Partitë vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën, por sot nuk dëgjova asnjë argument të ri që nuk është thënë më parë.
Tani mbase e kanë radhën Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu që të ndërmarrë ndonjë veprim, si instanca e vetme politike në Kosovë me mandat të plotë.
Përderisa partitë në Kosovë nuk po dakordohen, bota po vlon me kriza të shumta, e disa prej tyre kanë të bëjnë edhe me rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kosova e ka dëmtuar dhe po e dëmton edhe më shumë imazhin e saj ndërkombëtar. Ndërsa në Kosovë po grumbullohen problemet, po rriten çmimet, po humbin mundësitë për projekte ndërkombëtare…
Seanca konstitutive vazhdon me 11 maj, në ditën kur mbahen zgjedhjet në Shqipëri.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull