Kryeministri Kurti: Te merr malli per Azem Shkrelin

3 Minuta Lexim
Albin KURTI,
Kryeministër i Kosovës
Sot janë mbushur 28 vjet nga vdekja e Azem Shkrelit. Vajza e tij Aida Shkreli-Miloti, doktorante e psikologjisë që jeton dhe punon në Kanada, ma dhuroi kompletin e veprave të babait të saj. Me ëndje i kthehem poezive të Azem Shkrelit. Dhe përherë vë re të njëjtën gjë: poezia është gjithnjë para nesh, lart dhe larg. E dalë nga fymëzimi, ajo është më pranë frymës. Poeti realizon nëpër vargëzim përmasën e lirisë. Ai është gjithnjë më pranë lirisë. Poeti i vërtetë është për çdo kohë rilindas. Dhe kur e shquajmë poetin, e vendosim në aradhën e të lartëve. Azem Shkreli bën pjesë aty.
Poeti Azem Shkreli u largua nga të vetët e jetës dhe gjuhës pa e parë lirinë. Porse poeti Azem Shkreli, si poet i vërtetë e ka parë lirinë në gjeninë e vet:
“Për historinë asnjëherë dhe askund nuk janë rezervuar kohë të tjera…”
Veç me kaq frazë poeti vulos bindjen e kohës sonë historike, e tashmja:
“Se nesër nuk do të ishte nesër
pa të djeshmen tënde”. Veç kaq mjafton për të bërë llogarinë e çdo brezi që ka dashur të shkruajë përgjegjshëm të ardhmen.
Të merr malli për Azem Shkrelin siç të merr malli për të tashmen e historisë. Poeti e ka edhe dijen edhe shijen e lirisë. Nëse nuk duam ta humbim udhën, mjaft të kujtohemi se ajo ruhet diku: në vargjet e poetit. Le t’u rikthehemi në çdo brez e për çdo ditë. Sepse poeti Azem Shkreli na e thotë vetë:
“E një ditë do të takohemi diku përtej harrimit” ose “… Ata që s’vijnë me ne
miku im, le të ulen mbi varret e tyre dhe le t’i presin t’qetë kohët që më s’kthehen.”
E gjithkund poeti i drejtohet anonimit si një miku. Sepse poeti është miku i këtij Dheu, miku i Kohës, miku i Atit:
“Në vargun me krushq Atdheu është krushku i parë
Në tërë meshat shenjte ai është Meshari
Në kulm e në flamur ai është kumti e kremtja
Në kokën e rënduar në mendime ai është mendimi.”
Azem Shkreli, si poet i madh, të sillte në çdo varg njeriun, kohën dhe atdheun. “Në myshk, në pushkë, në gur/ në kokë më fëshfërini Shkrelë”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull