Kryetari i Partisë Socialiste në Lezhë, Ermal Pacaj, njëherazi edhe kandidat në listat e mbyllura të PS-së për zgjedhjet e ardhshme, ka depozituar në Policinë e Lezhës një kallëzim, përmes të cilit pretendon se njerëz të PD po i kërcënojnë me armë.
Në një deklaratë për mediat, Pacaj thotë se mbrëmë në fshatin Dajç, është kërcënuar me armë babai kandidates së PS.
“Është kallëzuar penalisht, mbrëmë në Dajc, në pronën e babait të kandidates sonë për deputete, njerëz të armatosur janë paraqitur duke kërcënuar se do ju marrim peng kryetarin e PS dhe babanë e kandidates për deputete.
I jemi drejtuar instance shtetërore, duhet të marrin masa. Çdo natë militantë të PD qarkullojnë orëve të vona, pa arsye, për të gjurmuar dje krijuar alibinë e tyre të humbjes për zgjedhjet e 11 majit. Është depozituar kallëzimi”, tha Pacaj.
Ndërkohë, kandidati i Sali Berishës në këtë qark, Gjin Gjoni ka publikuar një video në rrjetet sociale ku shkruan: “Grupet për mbrojtjen e votës në ndjekje të njerëzve që dalin natën për qëllime të mbrapshta elektorale. Ne jemi kudo. Do tiu ndjekim këmba-këmbes”.