Nga Miho Gjini-
Ja që ndodhë edhe kështu: pas privacioneve të dikurshme të shtetit të mëparshëm “të gjithëve dhe të askujt!”, e pashë veten pa shtëpi e katandi dhe natën e parë kam fjetur nën urën e “Lanës”, përbri Hotel “Dajtit”. Qe viti 1981. Që e kam fiksuar edhe nëpër libra e nuk dua ta kujtoj më…Mirëpo “jeta rrjedhë” e ikën! Bile edhe ndryshon. Fillimisht u ndodha sa më larg, në një barangë në periferi të Atikës së Homerit të verbër që quhej “Trohospito” (Shtëpi lëvizëse, prej dërrasash e me rrota),ku më gjeti edhe Ambasadori Shqiptar në Greqi Bashkim Zeneli, për të më sjellë në vitin 2003 Urdhërin e Lartë të Presidentit të Republikës “Mjeshtri i Madh”!
Prej asaj dite, kaluan 22 vite të tjera, dhe kthehem për të trokitur në dyert e Komunës së Lukovës, ku Kryetari i asaj kohe, Vladimir Kumiu, pati mirësinë të më jepte LEJEN për të ngritur edhe unë një shtëpi, të projektuar falas prej Ing. Durim Bajos…. Por, ja që ndodhte edhe “ndryshe”: që nuk gjeja dot “mjeshtra ndërtimi”, sepse të gjithë këta, ishin larguar nëpër vende të tjera. Kështu që shtëpia ime reale do të kishte “fatin e keq”, si nëpër përralla, “e pa mbaruar ndër vite”, dhe Fabulisti Gjivogli shkroi vjershën satirike për “Bilbilin që s’e bëri dot folenë në pyllin e tij!”. Sepse, çuditërisht, “më kishin fshirë edhe nga defteri!”…Mirëpo ishte larguar edhe “fuqia punëtore” e nuk e gjeje dot asnjë “punëtor krahu”, për të punuar, ndërsa edhe ullinjtë që mbetën sheshit në dimër, vinin edhe i mblidhnin disa “krahë pune” të mbetur nëpër qytetet veriore dhe fshatrat e tjera, nga ana e anëve! Buzëqeshja do më vinte me kalimin e “viteve të mbrapshta”, kur nisën të ktheheshin njeri pas tjetrit edhe mjeshtrat , edhe punëtorët, që edhe unë “i syrgjynosuri” ta kem , më në fund, një shtëpi timen, më pranë Varrezave të Piqerasit.
Dhe ja ku i bëra dje, këto dy foto me dy MJESHTRA nga “Qafa e Gjashtës” së Sarandës (Genti me Ronaldon). Dhe mu kujtua befas diçka e shkruar nga miku im Niviciot,-shkrimtar edhe ai, ish kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit, pas përmbysjes së “Shtetit të Diktaturës”, Fatmir Minguli,- për Gjeneral Bastën nga “Gjashta”, i cili, -një herë e një kohë,-u bë i tillë në një shtet të huaj. E i mbeti po ky emër edhe këtij fshati në udhëkryq… Ndërsa tek unë erdhën prej kësaj“Qafe” mjeshtrat e mobiljeve të vëllezërve “Mëma”, Rustemi me Harizin, që u ritën në Piqeras dhe pasi emigruan ne Greqi disa vite dhe mësuan zanatin e mobiljerit, u kthyen e ngritën pikërisht këtu, një Fabrikë Mobilerie, pa e gëzuar gjer në fundin e jetës së tij, Harizi! Po edhe duke pësuar zhgënjimin e disa “ikjeve të reja”, gjersa një miku i tyre (i biznesit), qe i detyruar të punësonte disa mërgimtar Egjyptian!…Ndërsa ky specialist “Duar Art” që quhet Genti,- i cili u largua me turmën 15 vjeç djalë, gjer në Vonicë të Prevezës, për të punuar si ndihmës i një ustai grek të alumineve u kthye pas dy viteve, si i kishte “vjedhur zanatin” tjetrit, ende pa u burrëruar dhe s’ka pak vite që ka ngritur një “Punishte Alumini”. Ai më thotë tani, se: “Ustai zemërmirë grek, teksa i duhej të montonte një derë alumini dhe e thirrën diku e iku, unë e montova vetë atë derë , aq sa ustai (kur u kthye), mbeti “syshqyer” dhe në vend që të më qërtonte, më përqafoi! Duke vazhduar kështu në vendin tim, 23 vite punë, si usta shumë i kërkuar dhe gjithmonë njerëzor në “hesape”! Dhe me të vetmin ndihmës nga mbrapa, ish kuzhinierin Ronaldo që tani i duket “Mjshtria e Alumineve” më e bukur se “Mjeshtria e Kulinarisë”!…Po ashtu bëri edhe Geçoja nga Borshi, :specialist për hekurin dhe aluminin , si edhe Keti,-specialisti i kangjellave prej inoksi, nga Saranda, në një grupim të shkëlqyer me familjen e atin e tij “duarartë” për punimet e xingut, që preferohet në gjithë Bregdetin, për mjeshtërinë e tyre. Pa e harrur edhe specialistin e pllakave majolike Jano Prifti nga Piqerasi, si edhe Teo Qofiri Shënvasiotin, mjeshtrin e lartësive, që më shumë e shikon mbi çatitë e Bregdetasve se sa mbi tokë, pas kthimit të tij nga ishulli Samos i Greqisë. Njeriu që është kundra betonimeve kubike dhe mbetur si ““Partizan i vetëm” i çative me tjegulla të kuqe, sipas traditës!”. Një mjeshtër tjetër nga Saranda, Afrim Hoxha,-specialist i rrallë i izolacioneve të shtëpive nga egrasia,- më thotë se: “Bashkë me dy shokët e tij të pandarë: Roshin dhe Aliun, (që të tre Tepelenas, banorë të Sarandës), kemi punuar disa vite në Poloni e në Malta të Mesdheut, për të shpurë edhe atje “Artin Tonë të Punës”…Po të gjithë këta specialistë që “brodhën botën mbarë”, do të dukeshin tek ne , paksa më vonë , kur disa specialista ndërtimi, si Pilurjotët Lagjia, me banim në Lukove, nuk u larguan nga vendi i tyre e hodhën themelet e shtëpisë së Miho Gjinit po nga Piqerasi, që u gjend edhe “ky plangprishës” një “ditë prej dite”, midis tokës e qiellit, pas syrgjynit…! Për të falenderuar me zemer në dorë edhe këdo tjetër që vuri edhe një tullë a tha një fjalë të mirë pas atij “qameti” që më prishi jetën…
Ja që , pa këta njerëz nuk u bëka dot gjë as në fshatin tim, që ato 74 shtëpi të “braktisura”, me çati të rrëzuara, tu kthehen banorët të gjallë e jo të vdekur, nga janë e nga s’janë, që ujët e pijshëm të mos merret nga ca burime të largëta që shterrojnë në verë, dhe tash sa vite u “thahet buza” njerëzve, ndërsa kanali i ujit të vaditjes, nuk u rregullua kurrë e mbeti “me mballoma”, ashtu si ishte 60 vite me parë. Që udhën e plazhit më të bukur në BOTË (të Bunecit) të mos e pushtojnë akoma më shumë, gropat e “Pluhuri Afrikan”, që nuk u bëri asnjë përshtypje, as një kryeministri e as një presidenti (të dy të dikurshëm) , që kaluan këndejë, panë, ikën, shkuan e harruan atë që thanë për “PARAJSËN”. Për të mos e përmendur përsëri (për të katërtin herë), rastin flagrant të bashëfshatarit tim Gole Konomi që ka fituar tri herë Gjyqin për pronën e tij në Bunec e vazhdimisht tund në ajër Vendimin e “Përmbarimit” e nuk ia “vërshëllen” askush?!…Dhe sa kohë akoma do “mbretërojnë” këtu barangat e kasollet e kashtës, si në ishullin e Robinson Kruzos? Kthejini sytë, ju lutem, edhe këndeja, që edhe ky fshat “i pikuar nga Perëndia”, -thuajse i harruar tashmë, të mos mbetet akoma “në duart e Perëndisë!”, teksa fshatarët e mi të dashur, vitin e kaluar “strehuan” në shtëpitë e tyre afro një mijë “mysafirë nga BOTA”!
U dashka pra, që përbri “Mjeshtrave të Mëdhenj”, të jenë edhe “Mjeshtrat e Vegjël”, punonjësit “DUAR ARTË”. Mirë e tha Bujar Kapexhiu, me humorin e tij klasik,-teksa njeri prej Presidentëve tanë i dorëzo Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh” e i tha atij: ”A nuk ka një “Mjeshtër i Vogël” të më jepni, Zoti President, se keni dhënë kaq shumë të tilla, sa që…….!?”
Ka arrdhur koha që t’i gëzojmë që të gjithë mjeshtrat tanë, po edhe investitorët, projektuesit, biznesmenët e ndershëm dhe “Artistët e Ndërtimeve”, qofshin “TË MËDHENJË E TË VEGJËL!”
Mirënjohje pa fund Mjeshtrave të Ndërtimeve!
Piqeras, më 28 maj 2025