Meqë sot është ditëlindja e Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve, më duket e përshtatshme të bëj me dije se Shtëpia Botuese zvicerano-shqiptare Dora D’Istria së shpejti do të ribotojë në format cilësor dhe meritor biografinë e Skënderbeut, shkruar nga profesori Oliver Jens Schmitt. Asnjë personalitet i Europës Juglindore nuk ka qenë pas vdekjes më i popullarizuar në Europën Perëndimore se Skënderbeu. Ai duhet të lartësohet përjetësisht nga çdo shqiptar. – Për detajet dhe datën e ribotimit të biografisë, promovimin e librit në Zürich dhe aktivitete të tjera do t’ju njoftojmë me kohë.
****
Nga biografia e Skënderbeut:
«Me figurën e Gjergj Kastriotit, i cili mori emrin e dytë Skënderbeu, u morën burrështetas, humanistë dhe historianë të shekullit të 15-të, por pastaj edhe biografë, letrarë, autorë libretesh dhe publicistë politikë deri në ditët tona. Nga Papa Piccolomini Piu i II-të, Vivaldi e deri te Benjamin Disraeli shtrihet gama e europianëve të njohur që kanë trajtuar figurën e Skënderbeut. Si formë për t’iu afruar atij shumica e zgjodhën biografinë.
(…)
Në botën perëndimore gjatë shumë shekujve Skënderbeu u bë europiani më i njohur i pjesës lindore. Edhe në shekullin e 18-të Antonio Vivaldi u inspirua nga kjo lavdi për të shkruar një operë. Një përmendore e Skënderbeut, e madhësisë së plotë, ‘sipas proporcioneve të këtij burri dhe e praruar mrekullisht me ar’ stoliste në një vend qendror anijen shtetërore venedikase. Në shekullin e 17-të një autor i portreteve të famshme e lartësonte këtë hero, përballë të cilit dridheshin barbarët para se ai të prekte shpatën. Portretet e Skënderbeut qëndronin të varura në zyrat dhe koleksionet e Habsburgëve në Kështjellën Ambras, të cilët nga fundi i shekullit të 16-të u bënë pronarë edhe të shpatës dhe përkrenares, të cilat me gjasë i takonin heroit.
(…)
Skënderbeu u shndërrua në figurë klasike të Rilindjes europiane, simbol i luftës kundër turqve, që deri në shekullin e 18-të u lartësua në mbarë Europën në biografi të tjera, në pjesë teatrale në skena të mëdha e të vogla – për shembull në Bavari dhe Tirol – dhe po ashtu në një operë të Vivaldit. Nga Italia deri në Suedi, nga Britania e Madhe deri në Rusi Skënderbeu u bë pasuri e përbashkët e europianëve të arsimuar.
(…)
Në shekullin e 19-të në Perëndim u bë nocion i interesimit të pastër shkencor dhe objekt hulumtimi i pak specialistëve, mes të cilëve ka emra buçitës: biografinë e parë me pretendime shkencore e shkroi me penë elegante Jakob Philipp Fallmerayer nga Tiroli, ai ishte bizantinisti më i njohur i gjysmës së parë të shekullit; atë e pasoi Karl Hopf, historishkruesi i Greqisë së Mesjetës, i cili bashkëpunoi ngushtë me themeluesin e studimeve moderne shqiptare, konsullin austriak në Janinën e Epirit, Johann Georg von Hahn”.
****
Benjamin Disraeli, kryeministri britanik me origjinë hebraike që shkroi një roman për heroin kombëtar shqiptar, Skënderbeun
Në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë rreth 300’000 hebrenj. Ata me të drejtë janë krenarë me traditën e tyre. Në fund të shekullit të 19-të kryeministër britanik ishte dy herë Benjamin Disraeli, i cili ishte pagëzuar, por gjithmonë i referohej origjinës së tij hebraike. Pas Luftës së Dytë Botërore Britania e Madhe u bë strehë për shumë intelektualë hebraikë si Ludwig Wittgenstein dhe Karl Popper, për shkrimtaren Judith Kerr, botuesin Robert Maxwell dhe piktorin Lucian Freud.
Përveç politikan Benjamin Disraeli ishte edhe shkrimtar i suksesshëm. Më 1833 ai shkroi romanin “The Rise of Iskandar” – një vepër që i kushtohet heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Humori i tij ishte tipik britanik. “Kur dua të lexoj një roman më mirë e shkruaj vetë një tjetër”, është njëra nga fjalitë e tij. Si shumë britanikë të interesuar për botën edhe Benjamin Disraeli nga viti 1830 deri në fund të vitit 1931 ndërmori udhëtimin e famshëm Grand Tour – nga Spanja, Malta, Shqipëria, Greqia dhe vajti në Lindjen e Mesme. Benjamin Disraeli vizitoi, mes tjerash Artën dhe Janinën. Në këtë pjesë të udhëtimit atij i lanë përshtypje sidomos kostumet shqiptare, këtë entuziazëm ai e ndante me poetin George Byron. Skënderbeu i Benjamin Disraelit na shfaqet në fillim në Athinë, pastaj në Krujë, Petrelë etj. Një hero shqiptar që vepron në viset shqiptare. Dhe një roman që publikut anglez ia afroi shqiptarët dhe historinë e tyre përmes penës së një shkrimtari dhe burrështetasi britanik.
****
Oliver Jens Schmitt:
“Nuk jam përpjekur ta çmitizojë Skendërbeun, por ta përshkruajë ashtu siç ishte, pra Zot i Arbërisë dhe figurë madhështore. Kundër librit tim folën disa njerëz që nuk e kishin lexuar fare librin. Ata kishin frikë se tani po vjen një i huaj që paguhet nga dikush, ndonjë shtet… Unë nuk bëj gjëra të tilla, nuk do të bëja kurrë. Skënderbeu e meriton pozitën që e ka në historinë shqiptare. Çka kam synuar është vlerësimi i tij në bazë të burimeve bashkëkohore. Pra, ai është figurë madhështore. Por unë e hedh poshtë përshkrimin që i bëhet Skënderbeut nga shkolla enveriste. Shqipërisë i duhet një shkollë kritike e historisë”.
E.R., 6 maj 2025