Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, ka shkuar në Shkodër për të ndjekur nga afër një operacion të gjerë hetimor që po zhvillohet në kuadër të krimeve zgjedhore.
Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë me dije se personat që po procedohen penalisht janë anëtarë të Shtabit Elektoral të Partisë Social Demokrate të drejtuar nga Tom Doshi.
Operacioni, që po kryhet në bashkëpunim mes Byrosë Kombëtare të Hetimit, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme, përfshin kontrolle dhe veprime hetimore në disa zona të qarkut Shkodër, si Malësi e Madhe, Barbullush, Bushat dhe Mjed.
Sipas burimeve zyrtare, procedimet penale janë të regjistruara nga SPAK në lidhje me veprat penale që lidhen me manipulimin apo cenimin e integritetit të procesit zgjedhor.
Sakaq, SPAK bëri me dije se janë administruar 123 materiale kallëzuese, ku 35 prej tyre kanë kaluar në fazën e hetimit.
22 janë vendime për mosfillim të hetimit penal, ndërsa 16 materiale kallëzuese janë dërguar për kompetencë në prokuroritë e rretheve gjyqësore.
Në lidhje me 35 procedimet, 20 janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit, 8 janë nisur kryesisht nga SPAK. Vetëm 3 kanë ardhur si rezultat i kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm. Dy të tjera kanë nisur nga kallëzimet e subjekteve politike dhe dy të fundit janë referuar nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.