URREJTEJA E TË NGJASHMËVE

5 Minuta Lexim
Nga Alma Jaku New York

Në Testamentin e Vjeter dhe në Mitologjitë e Lashta, Bishat dhe Monstrat më të rrëzkishme kanë më shumë se një kokë, sikur ligësisë i duhet të ketë koka rezerva që të jetë e sigurt për dëmët e veta kundër njerëzimit. Kështu Hydra në mitologjinë e Lashtë greke që ngul këmbë se është i pavdekshëm, shfaqet , në trajtën e një lloj gjarpëri ujor, me nëntë koka. Bisha e Kuqe, në Librin e Zbuleses ,shfaqet si një monstër me 7 koka dhe 10 brirë.

Realiteti politik i Shqipërisë së sotme duket se ka marrë diçka nga përbindshat e Mitologjive të Vjetra. Duke krijuar një monstër me dy kokë- Edi Ramën dhe Berishën.

Edi Rama, një politikan që lëkundet mes një Aktori Cirku dhe një skizofreni ekstravagant dhe brutal, fitoi mandatin e katërt të Qeverisjes në vendin më të varfër Ballkanik, duke rivalizuar me Lukashenkon e Bjellorusisë dhe Putinin e Rusisë. Ndërsa Berisha, një politikan egoist , humbi për të katërtën herë zgjedhjet e demokratëve shqiptarë. Në rastin e tyre, fitorja dhe humbja duken si dy binjakë biologjikë, aq të ngjashëm me njëri-tjetrin.

Ndërsa Edi Rama fiton me vjedhjen massive të votave, me anë të krimit të organizuar dhe një propaganda shtetërorë vënë në shërbimin e tij, në një shtet që provohet botërërisht si një shtet narko- kriminal dhe kliptokratik mu në mesin e Europës, Berisha shfaq anën tjetër të medaljes, kokën tjetër të monstrës, fytyrën e manipulimit të pjesës antikomuniste të Shqipërisë.

Dalja e Sali Berishës para mediave ku gjoja kërkonte shtyrje të afatit për rregjistrimin e emigrantëve dhe shpallja e koalicionit opozitar prej tij ishin një hipokrizi e madhe dhe shkelje me këmbë e dinjitetit te çdo shqiptari.

Në pazarin banal të Sali Berishes me Edi Ramën, ai ra dakort me listat e mbyllura duke i ngulur thikën plot helm pas shpine votës së lirë, pra vetë demokracisë. Dhe kjo, në emrin e vetë Demokracisë.

Sali Berisha kësisoj dha dhe një shembull tjetër suplimentar se ai nuk është as demokrat dhe as i djathtë,dhe kurrë nuk ka qënë i tillë. Me plot 34 vjet, ai e ka trajtuar dhe vazhdon ta trajtojë PD-në si pronën e vet, dhe demokratët si skllevërit e tij të bindur. Në thelb kur vjen puna tek raporti me votën e lirë dhe demokracinë, Sali Berisha dhe Edi Rama nuk kanë asnjë ndryshim, duke mbetur që të dy diktatorë të patjetersuar!

Sali Berisha u përpoq dhe këtë radhë t’u hedhë hi syve demokratëve me “Primaret” si gjoja një mjet demokratik që e demokratizon PD-në dhe e forcon atë, nga ana tjetër nuk u perpoq për tu mundësuar demokratëve apo të djathtëve në diasporë votimin në këto primare nëpërmjet votës elektronike apo asaj postale. Pikërisht këtu qëndron edhe HIPOKRIZIA e ndyrë e Berishes, kur del në shfaqje publike apo në parlament dhe çirret si avokat i votës së emigrantëve, ndërkohë që në Primare ka provuar të kundërtën. Si mund të kenë besim demokratët apo shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë se Sali Berisha dhe PD-ja do ta mbrojnë dhe garantojnë votën e tyre kur ai dhe PD nuk ja u garanton dot votën dhe shprehjen e tyre të lirë brenda PD-së????

Berisha është karta As në letrat e bixhozit politik të Edi Ramës. Nuk do të kishte një Edi Ramë pa ekzistuar Berisha si një fenomen politik i Shqiptarëve. Të dy, Rama dhe Berisha, me gjithë urrejtje për njëri-tjetrin, kanë lindur nga i njëjti bark, nga mitra e Ramiz Alisë dhe e Enver Hoxhës. Të dy janë binjakë në mënyren e tyre të veçantë.

Urrejtje a tyre për njëri-tjetrin? Thjesht urrejtja e të ngjashmëve!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull