Ndryshe nga sa pretendon Sali Berisha, ai ka kërkuar jo një, por plot dy herë të pajiset me vizë e të udhëtoje drejt Shteteve te Bashkuara, ku është i shpallur non grata, por kërkesat e tij janë injoruar nga Departamenti i Shtetit të SHBA.
Ndonëse Berisha deklaroi gjatë një konference për shtyp, se që kur kishte lënë detyrën në vitin 2013, kurrë nuk kishte kërkuar vizë për në SHBA, faktet thonë tjetër gjë.
Sipas dokumenteve të depozituara në FARA, kompania e lobimit Continental, e cila ka lidhur kontratën 6 milionë dollarëshe me Partine Demokratike, ka bërë dy kërkesa në emër të Sali Berishes.
E para në datën 28 Mars, e firmosur nga përfaqësues të disa shoqatave shqiptaro-amerikane, mes të cilëve edhe Nuredin Seci që është garantuesi i 6 milionë dollarëve për kontratën e lobimit, ku i kërkohet sekretarit të shtetit Marco Rubio të pajisë me një vizë njëkalimshme afatshkurtër Sali Berishën.
Por, kur pas më shumë se një muaji që kjo kërkesë për të pajisur Sali Berishën me vize është injoruar nga Departamenti Amerikan i Shteti, Continental PLLC, studio ligjore e lidhur me Continental Strategy, që sipas kontratës 6 milionë dollarëshe ka nënshkruar një marrëveshje tjetër financiare me Partinë Demokratike, ka dërguar një letër të dytë, vetëm pak ditë më parë, në datën 1 Maj.
Në letrën e fundit thuhej qartësisht: Seksioni 7031(c) është një proces plotësisht politik. Ligji FORPA nuk krijoi asnjë proces për përjashtim, aplikim për përjashtim, apo të drejtë për apelim. Në vend të kësaj, ai i jep Sekretarit të Shtetit kompetenca të plota për të emëruar një individ ose për të hequr apo anuluar atë emërim. Ai gjithashtu i jep Sekretarit të drejtën të japë përjashtim “nëse ai përcakton që përjashtimi do të shërbente një interes kombëtar bindës ose që rrethanat që e bënë individin të papërshtatshëm kanë ndryshuar mjaftueshëm.”
Heqja ose përjashtimi mund të ndodhin përmes rishikimit të brendshëm, rishqyrtimit politik, ose një ndryshimi në politikën e administratës. As individi i sanksionuar dhe as avokatët e tij nuk mund të detyrojnë Departamentin e Shtetit të shqyrtojë informacionin ose të japë përjashtimin, sepse vendimi përfundimtar është plotësisht në diskrecionin e Sekretarit.
As ligji dhe as precedentët gjyqësorë nuk e njohin ndonjë mënyrë tjetër për apelim. Në çështjen Bautista-Rosario v. Mnuchin, Gjykata e Qarkut të Uashingtonit gjeti se Seksioni 7031(c) nuk lejon shqyrtim gjyqësor të emërimit. Në mungesë të një autorizimi të tillë, “rishikimi gjyqësor i një vendimi për përjashtimin e një të huaji është … i pamundur.” Vendime të mëvonshme e kanë forcuar këtë qëndrim.
Në çështjen Rahmani v. Yellen (2024), gjykata konkludoi se “nuk është në kompetencën e asnjë gjykate … të rishikojë një vendim të degës ekzekutive për të përjashtuar një të huaj.”
Por pavarësisht se Berisha ka bërë dy herë lutje për të udhëtuar drejt Amerikës, lutjet e tij janë refuzuar, dhe kreu i PD-së mbetet ende i shpallur “non grata” nga administrata amerikane.