Një shqiptar 59-vjeçar, i identifikuar me iniciale F.C., po lufton mes jetës dhe vdekjes pasi u qëllua me armë zjarri mëngjesin e së dielës, 8 Qershor, në komunën Fontaniva të Italisë.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur teksa i plagosuri po lëvizte me biçikletë. Fillimisht, disa drejtues automjetesh që kalonin aty pranë menduan se bëhej fjalë për një aksident dhe njoftuan menjëherë shërbimet emergjente.
Ekipet mjekësore mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe konstatuan se bëhej fjalë për një situatë shumë më të rëndë: 59-vjeçari kishte një plagë të shkaktuar nga armë zjarri në fytyrë.
Ai u stabilizua në vend dhe më pas u transportua me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë dhe në kujdes intensiv.
Pas konstatimit se nuk bëhej fjalë për një rrëzim aksidental, por për një atentat të mirëfilltë, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë.
Zona u bllokua për të mbledhur çdo provë të mundshme që mund të ndihmojë në identifikimin e autorit dhe zbardhjen e ngjarjes.
Hetuesit po ndjekin disa pista, duke përfshirë mundësinë që viktima të jetë qëlluar nga një automjet në lëvizje.
Një tjetër pistë e hetimit është se një person mund të ketë provuar një armë nga shtëpia e tij dhe aksidentalisht ka qëlluar mbi kalimtarin e pafajshëm.
Gjithashtu janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, ndërsa disa dëshmitarë janë marrë në pyetje për orë të tëra në stacionin e karabinierëve.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet po bëjnë gjithçka për të identifikuar autorin dhe për të zbardhur motivet që qëndrojnë pas këtij sulmi të rëndë.