Nga Ramazan Çeka-
Një oaz kulturor dhe artistik në zemër të Vlorës.
Në qytetin ku flamuri i pavarësisë u ngrit për herë të parë, sërish ngrihen flamuj mes duarve të artit ndërkombëtar, kulturës dhe mikpritjes, një altar ku bota festoi pa kufij tingujt e një dashurie të përbashkët për trashëgiminë shpirtërore. Vlora nuk është më thjesht një qytet bregdetar apo një destinacion turistik, ajo është bërë tempulli i kulturës, një altar i gjallë i artit shqiptar dhe ndërkombëtar, zemra rrahëse e një mozaiku që nuk hesht kurrë. Rrugët e saj ndizen nga ritmet e daulleve instrumenteve të tjera muzikore nga ngjyrat vezulluese të kostumeve popullore që vijnë nga viset e Ballkanit dhe Europës, duke e shndërruar këtë qytet në një skenë të hapur, ku çdo hap është një valle dhe çdo zë – një këngë që flet gjuhën e shpirtit.
Atmosfera e Aulona Inter Folk Festival ka pushtuar gjithçka me gjallërinë e brezave që trashëgojnë dhe përcjellin historinë përmes artit. Në mes të kësaj pasurie shpirtërore, doli në pah thesari ynë lab: “Thesaret Labe”. Një magji që nuk flet vetëm për kostume apo valle, por për identitetin tonë të thellë, të gdhendur në shekuj. Një simfoni ngjyrash tradicionale, një mozaik emocionesh që festojnë trashëgiminë dhe rrënjët tona të përbashkëta, në këtë atmosferë të paharrueshme! Vlora festoi kulturën, traditën dhe muzikën nën një qiell që kumboi me tinguj nga e gjithë bota!
Në qendër të Vlorës historike, aty ku Sahati sheh kohët të kalojnë, me disa nga grupet pjesëmarrëse nisën performancat e Aulona Folk Festival, edicioni i 17-të. Tingujt e traditës pushtuan natën, sahati rrihte në ritmin e valles dhe folklori ndizej si flakë e gjallë nëpër rrugët e qytetit. Kur ritmi i botës flet me gjuhën e këngës dhe valles, Vlora shndërrohet në një tempull të shenjtë të artit ndërkombëtar. Në këtë edicion hapja e festivalit do të bëhej ndryshe, në një mjedis krejt të transformuar e të kuruar hijshëm, në Sheshin e madh përpara godinës historike të Bashkisë së Vlorës.
Në mjediset e Bashkisë u bë edhe pritja zyrtare e përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse nga kryetari i Bashkisë së Vlorës. Dhe kur mikpritja merr shpirt dhe jo vetëm formë institucionale, bëhet dhuratë – siç ndodhi kur Kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Ermal Dredha, mirëpriti këtë mozaik kulturash me një ceremoni dinjitoze, ku secili simbol u bë urë miqësie dhe çdo buzëqeshje u kthye në premtim për të ardhmen, duke u bërë pjesë e shpirtit të festivalit, që ngritën Vlorën lart në skenën ndërkombëtare të kulturës.
Në shesh vallja pushtoi çdo cep të hapësirës nga ku Ansambli “Dropulli” me vallet dhe kostumet e tyre tërë dritë feksin mes grupeve e kostumeve të shumëllojshme, ardhur nga vende të ndryshme të Europës. E më pas vallja rrathë-rrathë ja le vendin forografisë së përbashkët të të gjithë festivalistëve. Me nderimin që Festivali u bëri burrave të Kombit në Sheshin Historik të Flamurit me paradën e kostumeve me ngjyra të larmishme, në Bulevardin “Ismail Qemali”, me performancat në miediset e hapura e kudo në rrugë e trotuare, duke e mbushur qytetin me ritme vallesh, që i dhanë Vlorës një atmosferë festive, si dhe duke i shtuar edhe më shumë bukurinë dhe magjinë që natyra i ka dhënë me shumë dashuri, pasi folku mbart dhe sjell kudo që shkon bukurinë e artit bio, artistët e mjeshtrat e papërsërtshëm popullorë me talentin, energjinë, emocionet dhe vlerat e mëdha.
Në këtë mrekulli, një emër qëndroi si simbol frymëzimi: Sejmen Gjokoli, “Mjeshtër i Madh”, shpirt i gjallë i festivalit që nuk kishte kombësi – vetëm ritëm, dashuri dhe shpirt artistik. Në mbrëmjen e parë, folklori mori jetë mes dritash e ritmesh që shpërthenin nga zemra e publikut, dhe zërash që u ngjitën lart si flutura të gjalla nën qiellin e Vlorës së lashtë. Brigjet e Jonit nuk i lagte vetëm deti, por edhe tingujt, vallet dhe ngjyrat e shpirtit njerëzor, të sjella nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, Polonia, Sllovakia, Gjeorgjia e Ukraina. Në Resortin “Bojo”, aty ku deti puth horizontin dhe era flet në gjuhën e verës, “Alona Festival” shpërtheu si një ylber emocionesh mbi bregdetin magjik të Vlorës.
Mes tingujve që vallëzojnë mbi valë dhe shpirtit që digjet nga pasioni, festivalistët tanë të zjarrtë u bënë njësh me ritmin, dritën dhe dashurinë që shkruhet në rërë e nuk harrohet kurrë, në çdo zemër ku drita dhe muzika flasin të njëjtën gjuhë. Ky ishte më shumë se një event – ishte një jehonë emocionesh që u përhap në sheshe dhe u ruajt në kujtesën e zemrave. Ishte një përulje e hijshme ndaj historisë, një përqafim i gjallë i të tashmes dhe një dritë e ndezur për të nesërmen. Në çdo hap – trashëgimia që nuk shuhet, por rritet. Kjo është Vlora – aty ku kultura nuk njeh kufij, ku festa flet në çdo gjuhë, dhe ku arti bëhet frymë që bashkon botën. Nga rrugët plot jetë e sheshet magjepsëse të qytetit, deri në sheshin përpara Stadiumit “Flamurtari”, Vlora u bë sërish kryeqyteti i folklorit ndërkombëtar.
Një maratonë katërditore, ku kultura, historia dhe krenaria shqiptare vallëzuan bashkë – përtej kufijve dhe kohës. Në një qytet ku muzika duket se buron vetë nga gurët dhe era, ky festival u bë një poezi që nuk shkruhet me fjalë, por me hapa vallesh, me tinguj që s’mund të përkufizohen, veç të ndihen, me trupat që bëheshin urë mes kombeve, duke treguar histori që asnjë fjalor s’i përkthen dot. Me këtë shkëlqim kulturor, me zemrën në valle dhe shpirtin në këngë, festa vazhdoi përpara Stadiumit – aty ku emocionet shpërthyen si fishekzjarrë folklorikë! Ky ishte një dialog mes popujve, një shfaqje e ngrohtësisë njerëzore në gjuhën më universale që kemi: artin.
“Aulona Inter Folk Festival” – në kuadër të sezonit turistik “Vlora 2025”, erdhi nën kujdesin e Bashkisë Vlorë, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, pasqyrimin mediatik të RTSH-së, kamera e Televizionit “Kultura Shqiptare”, ACTV nga Amerika, për të ndjerë dhe përçuar jo vetëm pamjet, por edhe melodinë e shpirtit të këtij festivali, drejt çdo ekrani ku malli për atdheun frymon.
Katër netë magjike, të mbushura me këngë, valle dhe traditë u fokusuan edhe nga syri magjik i artistit Shpejtim Krasniqi, që kishte ardhur enkas nga Zvicra për të kapur e përcjellë shpirtin e këtij festivali.
Në çdo hap, në çdo tingull, në çdo ngjyrë – Vlora u vesh me petkun e festës dhe shkëlqeu.
Nga rrugët që pulsonin me ritmin e këngëve e valleve, deri te Bashkia që u kthye në një tempull të mikpritjes dhe kulturës, qyteti përqafoi botën me zemër të hapur.
Nga Shqipëria në Ukrainë, nga Kosova në Gjeorgji, përfaqësues të vendeve mike sollën në Vlorë thesaret shpirtërore të popujve të tyre – një mozaik shumëngjyrësh që i këndoi paqes, bashkimit dhe dashurisë për traditën.
“Aulona Interfolk Festival” është një ngjarje e rëndësishme në kalendarin kulturor të Shqipërisë dhe një shembull i mirë për krijimin e një marke të fortë të turizmit kulturor shqiptar.
Në natën finale, ku yjet zbritën mbi skenë dhe ritmi u shndërrua në një gjuhë universale, qyteti i Vlorës u kthye në një altar të shenjtë të artit. Aty, çdo hap vallëzimi, çdo tingull, çdo kostum – një mozaik shpirti i thurur nga duart e së kaluarës dhe i lartësuar nga drita e trashëgimisë sonë – u bë urë mes popujve dhe zemrave.
Vlora nuk ishte thjesht pritëse për turistë – ajo ishte skena, aktorja dhe spektatorja, një qytet që të fton të bëhesh bashkëkrijues i magjisë.
Një qytet ku kultura është identitet, jo zbukurim sezonal. Ku arti është një festë që nuk mbaron kurrë.
Kur dritat ndizen e zemrat rrahin në ritmin e shpirtit shqiptar, “Hëna Flori” zbret nga qielli për të ndriçuar skenën me magjinë e saj. Dy zëra që shkëlqejnë si yje, Rovena Ibrahimi dhe Lina Rrustemi, na dhuruan një premierë që përjetohet me çdo frymëmarrje.
Të shoqëruara nga hapat fluturues të Ansamblit “Krahu i Shqiponjës – Taip Madani” Vlorë, kënga u bë vallëzim, u bë emocion, u bë festë.
Në dritën e mbrëmjes vlonjate, nën tingujt që burojnë nga rrënjët më të thella të shpirtit shqiptar, u ngjit në skenën e “Aulona Festival” një bashkim që tejkalon kufijtë: “Kënga që bashkon”, një thirrje e përmallshme dhe krenare që na rikthen te rrënjët, ku çdo tingull mban në vete kujtimin dhe përqafimin e vendlindjes.
Me zërin e ngrohtë dhe plot shpirt të këngëtares së mrekullueshme Ludmilla Baballeku, fuqinë rrënjësore të rapsodit të shquar Viktor Paloka,”Mjeshtër i Madh” dhe me elegancën e gjallë të Ansamblit “Prishtina” nga Kosova, kjo këngë u shndërrua në një urë zemrash, gjuhësh dhe kujtimesh.
Magjia e folklorit të mrekullueshëm që shpalosi Ansambli “Kolkhida” nga Gjeorgjia, shkëlqeu në skenën e “Aulona Inter Folk Festival” dhe rrëmbeu Kupën e edicionit të XVII-të, duke mahnitur publikun me energjinë, elegancën dhe shpirtin artistik.
Trofeu iu dorëzua mes duartrokitjesh nga vetë Kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Ermal Dredha.
Fitorja e grupit gjeorgjian ishte më shumë se një çmim – ishte një shpërthim i bukurisë universale, ishte një bekim për kulturën, një vulë krenarie dhe mirënjohjeje për një qytet që frymon me artin.
Ishte çasti kur një qytet tha: “Arti është jeta jonë”. Një çast që flet më shumë se fjalët, që ndizet si një flakadan shprese dhe bukurie në historinë kulturore të qytetit të Vlorës.
Skena nuk u ndriçua vetëm nga dritat, por nga një emocion i pastër, që përshkoi të gjithë auditorin si një valë.
Prapa skenës gjigande, para Stadiumit “Flamurtari” binin në sy “ethet e bukura” të organizimit, angazhimi i stafit të palodhur të “Aulona Inter Folk Festival”, si dhe përkushtimi i regjisorit të qindra veprimtarive artistike z. Llesh Nikolla “Mjeshtër i Madh”, me një eksperiencë të jashtëzakonshme në RTSH.
Moderatorja me hijeshi, Afërdita Krasniqi nuk ishte thjesht prezantuese, ajo u shndërrua në dritë, në emocion, në fjalë që prekin shpirtin.
Nisur nga natyra dhe përmasat e Festivalit, ai mbetet krejt i veçantë, mbasi për të 17-in vit radhazi, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por edhe për trojet shqiptare, mbahet një aktivitet kaq i rëndësishëm i folklorit në nivel evropian dhe botëror.
Sigurisht që mbështetja e donatorëvë meriton një falenderim të veçantë.
Aulona Inter Folk Festival është tashmë më shumë se një festival – është një premtim që do të rikthehet çdo maj, si një stinë dashurie dhe arti që nuk shuhet kurrë.
“Regina Garden” u kthye në një altar nderimi për trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore, si dëshmi e përkushtimit ndaj identitetit dhe traditave tona.
Në këtë mbrëmje post-festivali, emocionet shpërthyen si fishekzjarrë që ndezën atmosferën!
Vlerësimet e ndërsjella, fjalët e ngrohta dhe surprizat e ndjera u shndërruan në vargje poetike të një mozaiku të rrallë ndërkulturor.
Por kulmi i kësaj nate ishte mirënjohja dhe respekti për një emër që ka shkruar me pasion historinë e këtij festivali: “Mjeshtri i Madh” Sejmen Gjokoli – njeriu që mbolli farën e kësaj ëndrre dhe e ktheu në një lis të fuqishëm që bashkon botën përmes valles dhe këngës.
Për të 17-in vit, “Aulona Inter Folk Festival” nuk ishte një event – ishte një besëlidhje shpirtërore, një vallëzim kujtimesh që do të jetojë gjatë në melodinë e zemrave tona, me urimin mirupafshim, deri në takimin tjetër, ku ritmet e lashta do të zgjojnë sërish qytetin e Vlorës.
Gëzuar të gjithë atyre që vallëzojnë për paqe, për identitet dhe për dashuri njerëzore.
Gëzuar artin që bashkon Botën!