Bashkëjetesë e vështirë në pallate, si do të “rregullohet” jeta e banorëve?

2 Minuta Lexim

Në qytetet e dendura të Shqipërisë, ku ndërtesat rriten më shpejt se mirëkuptimi mes fqinjëve, jeta në pallat është bërë një provë e përditshme durimi.

Ashensorë që nuk funksionojnë, shkallë të papastruara dhe ndërhyrje pa leje në hapësira të përbashkëta janë kthyer në pamje të zakonshme. Dhe në zemër të këtij kaosi urban qëndron një dështim: administratori i pallatit, një figurë që, ndonëse e parashikuar me ligj, është shpesh inekzistente ose pa ndikim real.

“Një seri probleme të përditshmërisë, bashkëjetesës, së komunikimit, lidheshin me mënyrën sa administrohet bashkëpronësia. Ligji krijon detyrimin që për çdo objekt të dalë një certifikatë e përbashkët bashkëpronësie. Të gjithë elementët që janë pjesë e bashkëpronësisë shënohen një certifikatë pronësie specifike”, shprehet ministri Mazniku.

Pikërisht për ta përmbysur këtë realitet, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, prezantoi së fundmi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat projektligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”.

Ligj i ri synon përmirësimin e menaxhimit të hapësirave të përbashkëta dhe rritjen e cilësisë së jetës në komunitetet urbane – një përpjekje për t’i dhënë frymë të re një sistemi që deri më tani ka dështuar të funksionojë në praktikë.

“Krijohet një komision në çdo bashki që funksion si entitet administrativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve deri në këtë vlerë, njerëzit mund ta vijojnë mosmarrëveshjen në gjykatë nëse nuk bien dakord”, shton Mazniku.

Qëllimi është i qartë: të krijohet një model funksional administrimi, ku përgjegjësitë të jenë të ndara, detyrimet të jenë të qarta dhe ndërtesa të mos jenë thjesht struktura, por hapësira të jetueshme, të menaxhuara si komunitete.

Por për ta bërë këtë të mundur, duhet më shumë sesa një projektligj – duhet angazhim qytetar, zbatim i rreptë, dhe mbi të gjitha, besim i rikthyer në administratorin si figurë kyçe për jetën urbane.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull