Dështon edhe përpjekja e 25-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputetët refuzojnë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit

2 Minuta Lexim

Përpjekja e 25-të për të konstituuar Kuvendin e Kosovës ka dështuar sërish këtë të hënë.

Deputetët e betuar nuk arritën të çojnë përpara procesin që ka nisur që nga 15 prilli, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet pas 48 orësh, të mërkurën, më 4 qershor.

Kjo ishte hera e 17-të rresht që dështon ngritja e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Deri më tani, janë miratuar vetëm dy pika të rendit të ditës: raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimi i deputetëve.

Procesi ka ngecur në pikën e tretë – zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Përplasjet politike për zgjedhjen e kryetarit

Kryetare e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash, çka ka shtyrë kryesuesin e seancës, Avni Dehari, të propozojë votim të fshehtë që nga 1 maji.

Ky propozim është kundërshtuar ashpër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, të cilat e kanë çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Ato e konsiderojnë jokushtetuese mënyrën e votimit të fshehtë dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të ndërmarrë masë të përkohshme për të ndalur seancat, derisa të merret një vendim.

Refuzimi i bashkëpunimit

Katër partitë opozitare kanë refuzuar të propozojnë një anëtar për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë. PDK dhe AAK e konsiderojnë Haxhiun një figurë përçarëse dhe kërkojnë nga LVV të propozojë një kandidat tjetër.

LDK, nga ana tjetër, ka deklaruar se nuk do të mbështesë asnjë kandidat të propozuar nga LVV.

Megjithatë, LVV, si fituese e zgjedhjeve të fundit, këmbëngul në kandidaturën e Haxhiut dhe ka përjashtuar mundësinë e një alternative.

Pritet një tjetër përpjekje më 4 qershor

Për konstituimin përfundimtar të Kuvendit kërkohet zgjedhja e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve. Vetëm pas kësaj faze, mund të procedohet me formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull