Ka hyrë në ditën e tretë procesi i rinumërimit të votave për partitë dhe kandidatët në qarkun e Tiranës. Për sot, procesi nisi në orën 09:00, dhe sipas të dhënave të KQZ, janë hapur 261 kuti nga 1282 në total të qarkut, ku janë konstatuar gabime, por që deri më tani nuk prodhojnë ndryshime në rezultatin e mandateve.
Nga rinumërimi, sipas të dhënave të deritanishme, PD rezulton se ka 138 vota të pamerituara, ndërsa PS 125, të cilat iu zbriten nga rezultati i numërimit të parë. Këto janë vota të pavlefshme ose vota që i kanë marrë në ‘kurriz’ të partive të vogla. Edhe Nisma Shqipëria Bëhet rezulton se deri më tani ka 11 vota të pamerituara ndërsa partia Mundësia që po ‘lufton’ për të ruajtur mandatin e dytë, nga rinumërimi deri më tani rezulton të ketë përfituar 7 vota që s’i takonin, që po ashtu i zbriten. Partia Social Demokrate e Tom Doshit humb gjithashtu 11 vota.
Ndërkohë partive të vogla iu shtohen disa vota, konkretisht Koalicioni i Lulzim Bashës nga rinumërimi merr 6 vota më shumë, 3 vota më shumë shkojnë për koalicionin e Enkelejd Alibeajt.
Për sa u takon kandidatëve, Ilir Alimehmetit të PD, i cili nisi betejën ligjore për rinumërimin me pretendimin se mund t’i kenë marrë vota, në fakt rinumërimi ia ka pakësuar me 21 vota, që i ka marrë padrejtësisht nga numërimi i parë. Tabaku, deri më tani rezulton se ka 4 të pamerituara. Ilir Meta ka gjithashtu 13 vota të pamerituara.
Edhe në kampin socialist ka pasur humbje votash. Olta Xhaçka, e cila fitoi me një rezultat të ngushtë kundrejt Blerina Gjylametit, rezulton se ka 12 vota të pamerituara. Gjylametit i është hequr 1 nga 11 maji. Rinumërimi ka treguar deri tani se Fatmir Xhafaj ka marrë 60 vota padrejtësisht, Xhemal Qefalia 66 ndërsa Erion Braçes i shtohen 8 vota, që rezulton se ia kanë marrë më 11 maj.
Deri më tani KAS nuk ka konsideruar as manipulim apo vjedhje votash, por interpretime subjektive duke marrë në konsideratë se fleta e kësaj radhe ishte e komplikuar.
Vetëm për qarkun e Tiranës, procesi i rinumërimit sipas KQZ mund të zgjasë rreth 10 ditë, ku në total do të hapen 1282 kuti votimi ose rreth 400 mijë fletë votimi. Pas Tiranës, do rinumërohen 587 kuti të qarkut të Fierit, dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora).