Të gjithë kutitë e votimit të qarkut të Tiranës do të rinumërohen me kërkesë të dy anëtarëve të PD në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve. Vendimi u mor sot, edhe pse kërkesa e PD u rrëzua me shumicë votash nga KAS, por demokratët kanë kërkuar, sipas të drejtës që i jep Kodi, që të bëhet rihapja e kutive të votimit në të gjithë Tiranën, në të gjitha qendrat e votimit.
Bëhet fjalë për 1282 Qendra Votimi, kutitë e të cilave do të hapen dhe do të rinumërohen votat edhe për partitë edhe për kandidatët me qëllim gjetjen e provave për pretendimet e PD -së.
Përfaqësuesi i PD në KAS, Ledio Braho tha se data për fillimin e këtij procesi do të përcaktohet në një moment tjetër dhe i gjithë procesi do këqyret nga administrata e KQZ, ndërkohë që partitë politike do të kenë përfaqësuesit e tyre.
“Në lidhje me kërkesën për këqyrjen e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë, KAS me shumicë votash e rrëzon, por me kërkesë të dy anëtarëve të KAS do bëhet këqyrja e kutive të fletëv të votimit për qarkun Tiranë. Duke qenë ky proces merr kohë, duke qenë se janë 1282 QV, data për fillimin e këtij procesi do të përcaktohet në një moment tjetër ku partitë politike kanë të drejtën të caktojnë vëzhgues ndërkohe që procesi do këqyret nga administrata e KQZ, kështu që kjo seancë pezullohet për momentin”, tha Braho.
Vendimi nuk u mor me konsensus, por vetëm me kërkesë të dy anëtarëve demokratë, Elvis Çefa dhe Ledio Braho, pasi neni 138, pika 3 e Kodit Zgjedhor parashikon që “secili anëtar ka të drejtë të kërkojë dhe KQZ-ja është e detyruar të kryejë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara në kuadër të kësaj procedure”.
“Sot, KAS nisi shqyrtimin e kërkesës ankimore nr.48, datë 29.05.2025, depozituar nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore me objekt: “1. Kundërshtimi i Vendimit Nr. 1326, date 24.05.2025, të KSHZ “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin të datës 1 maj 2025″. 2. Pavlefshmëria e zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore Qarku – Tiranë. 3. Zgjidhjen e pasojave duke urdhëruar persëritjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në të gjithë zonën zgjedhore Qarku Tiranë.
Me Shumicë votash, KAS rrëzoi kërkesën e Koalicionit PD-ASHM për kqyrjen e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë.
Gjithashtu, bazuar në nenin 136, pika 3 e Kodit Zgjedhor, anëtarët z. Elvis Çefa dhe z. Ledio Braho kërkuan që të bëhet këqyrja e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë. Duke marrë në konsideratë që ky proces kërkon kohë për përgatitjen e logjistikës, fillimi i këtij procesi do të njoftohet në një moment të dytë”, njoftoi KAS.
Rezultati në Qarkun e Tiranës u nda me 19 mandate për Partinë Socialiste, 13 për Partinë Demokratike me aleatët, 2 Partia Mundësia dhe nga 1 për Nismën Shqipëria Bëhet, PSD dhe Lëvizja Bashkë.