Administrata e presidentit Donald Trump po kërkon që Serbia dhe vende të tjera të Ballkanit të pranojnë emigrantë të deportuar nga Shtetet e Bashkuara, sipas një raporti të Bloomberg Neës të publikuar të enjten.
Kërkesa drejtuar vendeve të rajonit është pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së për të gjetur qeveri të huaja që janë të gatshme të pranojnë emigrantët e deportuar, raportoi Bloomberg, duke cituar burime të njohura me çështjen.
Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit i SHBA-së dhe Ministria e Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment nga Reuters. Artikulli i publikuar në Bloomberg nuk e përmend Shqipërinë, por raporton se kërkesa i është drejtuar disa qeverive të Ballkanit.
Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë e SHBA-së lejoi administratën Trump të revokojë statusin ligjor të përkohshëm për qindra mijëra emigrantë nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, duke përforcuar përpjekjet e presidentit republikan për të rritur deportimet.
Administrata Trump ka qenë në kërkim të destinacioneve të mundshme për emigrantët që mund të deportohen si rezultat i këtij vendimi, sipas raportit të Bloomberg.
Duket se kërkesa e Trump mbështetet në marrëveshjen e nëntorit 2023, që kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama e nënshkruan së bashku dhe sipas së cilës Shqipëria pranoi të strehojë emigrantë të shpëtuar nga ujërat ndërkombëtare. Pas përplasjes me gjykatat e Italisë, Meloni e ndryshoi marrëveshjen dhe aktualisht po e shfrytëzon kampin e Gjadrit si një burg për refugjatë që kanë kryer krime në vendin fqinj.