Epoka e trurit online

6 Minuta Lexim

Nga Prof. Ethem Ruka-


Të jesh “online” do të thotë të jesh i lidhur me botën përmes një kompjuteri, telefoni apo tableti, duke shfrytëzuar pafundësinë e shërbimeve që ofron rrjeti. Numri i përdoruesve të rrjetit global të internetit është rritur shpejtësi marramendëse. Në vitin 2024, mbi 5.52 miliardë njerëz në mbarë botën ishin të lidhur me internetin, një shifër marramendëse, që pritet të rritet edhe më tej, duke çuar informacionin digjitale në çdo cep të globit.

Në këtë univers virtual përfshihen gjithçka: nga shfletimi i faqeve, rrjetet sociale, leximet dhe dërgimet e e-maileve, ndjekja e videove, lojërat argëtuese, aplikacionet e panumërta, deri te puna e mësimi në distancë dhe blerjet me një klikim të vetëm.

Në përmasë globale, një përdorues i zakonshëm çdo ditë kalon online mesatarisht 6 orë e 36 minuta. Ka vende ku kjo shifër kapërcen kufijtë e imagjinatës: Afrika e Jugut kryeson me 9 orë e 34 minuta në ditë, pasuar nga Brazili me 9 orë, Rusia me 8, SHBA-të me 7 orë e 3 minuta, ndërsa Japonia ndalon te 4 orë e 9 minuta.

Po ju? Sa orë i dorëzoni ekranit çdo ditë? Mjafton një aplikacion në telefon për të zbuluar të vërtetën. Statistikat tregojnë se qytetari i botës shpenzon mesatarisht 3 orë e 43 minuta në telefonin e tij. Kampionët e këtij zakoni janë filipinezët me 5 orë e 47 minuta në ditë, ndërsa japonezët, si gjithmonë të rezervuar, shpenzojnë vetëm 1 orë e 54 minuta.

Rrjetet sociale janë bërë si magnetë për shikimin dhe mendjen, e veçanërisht për të rinjtë e moshës 16 deri në 24 vjeç. As Shqipëria nuk bën përjashtim. Interneti është bërë pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme. Facebook mbetet rrjeti më i përdorur, me mbi 1.866.100 përdorues në fund të vitit 2024, një shifër që përfaqëson 62.5% të popullsisë totale.

Por përtej këtyre shifrave, duket se kemi hyrë në një epokë të re të skllavërisë moderne. Disa e quajnë tirania e ekranit, një pushtet i heshtur që na mban të lidhur pa zinxhirë të dukshëm. Qëndrimi i zgjatur online nuk është më një zgjedhje e vetëdijshme, por një bombardim i përditshëm me informacion, që trondit dhe mpin mendjen njerëzore. Është një lodhje e thellë, një rraskapitje e padukshme që gërryen thellë kapacitetet tona mendore.

Kjo varësi burgos mendjen dhe shndërron sjelljen. Gëzimi apo zhgënjimi për një “like” më shumë ose më pak është kthyer në një matës të vlerës shoqërore të të rinjve. Çfarë ndodh me ta është tronditëse. Ka histori që përfundojnë me tragjedi, vetëvrasje të nxitura nga komentet, nga krahasimet, nga presioni i pandalshëm për të qenë i dukshëm, i pëlqyer, i pranuar.

Njeriu ka nisur të jetojë vetminë e tij në një realitet të simuluar. Në një tren, në një autobus, në një kafene, askush nuk flet më me askënd. Të gjithë janë zhytur në botën e vogël të ekranit. Libri, dikur miku më i mirë i udhëtimit, tashmë është i harruar. Në shtëpi, familjarët nuk bisedojnë më, janë secili në botën e vet virtuale. Pyetjet nuk merrin më përgjigje, sepse vëmendja është përqendruar vetëm tek ekrani.

Psikologët kanë gjetur emërtime të reja për gjendje të reja: harresa e telefonit shkakton ankth të menjëhershëm. Kjo frikë është quajtur nomofobi, nga anglishtja no-mobile-phone phobia, një çrregullim i mirëfilltë që lidhet me varësinë ndaj telefonit. Një tjetër term, phubbing, që vjen nga bashkimi i “phone” dhe “snubbing”, përshkruan ata që, ndonëse ndodhen në praninë e të tjerëve, zgjedhin t’i injorojnë për t’iu përkushtuar ekranit.

Kjo sjellje është kthyer në një refleks, në një zakon instinktiv, që nuk e ndalon më as arsyeja, as ndërgjegjja – thjesht funksionon vetvetiu, si një reagim i palcës kurrizore. Dikur, libri, gazeta, radioja dhe televizioni ishin dritaret nga ku shihnim botën. Sot, ekrani i pajisjeve digjitale është kthyer në një lloj hipnoze kolektive.

Pa e kuptuar, jemi përfshirë në këtë realitet të ri, këtë botë digjitale që duket se nuk njeh kthim. Nuk kanë kaluar ende 30 vjet nga dita kur interneti u bë arma e të gjithëve, të dijshmëve dhe të paditurve, të shkolluarve dhe të pashkolluarve. Dhe megjithatë, kjo është vetëm hyrja në një epokë të re, me të cilën duhet të mësojmë të bashkëjetojmë.

Dikur ishim ne që zotëronim teknologjinë. Sot, rrezikojmë të kthehemi në skllevër të saj. Dhe termi “online” nuk i përket më vetëm lidhjes sonë me rrjetin, është truri ai që tashmë jeton online.

Ps: Nje copëz nga botimi i fundit ne proces

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull