Izraeli dhe Irani vazhdojnë të shkëmbejnë sulme për ditën e tretë radhazi

7 Minuta Lexim

 

Izraeli kreu bombardime në të gjithë Iranin për të tretën ditë radhazi të dielën dhe kërcënoi se do të përdorë forcë edhe më të madhe, ndërsa disa raketa iraniane i shpëtuan mbrojtjes ajrore izraelite dhe goditën ndërtesa në zemër të vendit, duke i vrarë dhjetëra njerëz.

Rajoni është duke u përgatitur për një konflikt të zgjatur pas bombardimeve të papritura të Izraelit ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake të Iranit të premten, ku u vranë disa gjeneralë dhe shkencëtarë të lartë bërthamorë.

Prej të premtes, as Izraeli e as Iranit nuk po tregojnë shenja zmbrapsjeje.

Të dielën pasdite, ushtria izraelite, përmes një postimi në rrjetet sociale, paralajmëroi iranianët të largohen nga fabrikat e armëve, duke lënët të kuptohet se do ta zgjerojë fushatën e bombardimeve.

Izraeli, i vetmi shtet — megjithëse i padeklaruar zyrtarisht — me armë bërthamore në Lindjen e Mesme, tha se e nisi sulmin për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i një arme bërthamore.

Tym dhe flakë ngrihet nga një rafineri nafte në jug të Teheranit, pasi ajo u godit nga një sulm ajror izraelit më 15 qershor 2025.
Tym dhe flakë ngrihet nga një rafineri nafte në jug të Teheranit, pasi ajo u godit nga një sulm ajror izraelit më 15 qershor 2025.

Kryeqyteti i Iranit, Teherani u trondit nga shpërthime rreth mesditës dhe më pas sërish rreth orës 15:30 të dielën. Agjenci gjysmëzyrtare, të afërta me Gardën Revolucionare të Iranit, raportuan për një sulm në zonën e sheshit Vali-e Asr në qendër të qytetit dhe një tjetër në një lagje ku ndodhet selia e forcave ajrore.

Sirenat ranë në pjesën më të madhe të Izraelit sërish rreth orës 16:00 të dielën, duke paralajmëruar për sulme ajrore nga Irani gjatë ditës. Prej së filluan luftimet, Irani ka kryer sulme vetëm natën. Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima.

Irani tha se Izraeli goditi dy rafineri nafte, duke ngritur shqetësime për një sulm më të gjerë ndaj industrisë së energjisë iraniane, gjë që mund të ndikojë në tregjet globale.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu mbështetje të plotë për veprimet e Izraelit, duke paralajmëruar Iranin se mund t’i shmangë shkatërrimet e mëtejshme vetëm duke pranuar një marrëveshje të re për programin e vet bërthamor.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha të dielën se nëse sulmet izraelite ndaj Iranit ndalojnë, “atëherë edhe përgjigjet tona do të ndalen”.

Dhjetëra të vrarë

Ambasadori i Iranit në OKB tha të shtunën se 78 persona janë vrarë dhe mbi 320 janë plagosur. Që atëherë, nuk ka pasur ndonjë përditësim zyrtar.

Izraeli deklaroi se 13 persona janë vrarë dhe mbi 360 janë plagosur. Sipas të dhënave izraelite, Irani ka lëshuar mbi 270 raketa, nga të cilat 22 kanë goditur shënjestrat. Aeroporti kryesor ndërkombëtar i vendit dhe hapësira ajrore kanë mbetur të mbyllura për ditën e tretë radhazi.

Sulmet izraelite shënjestruan Ministrinë e Mbrojtjes së Iranit të dielën në mëngjes, pasi kishin goditur më parë mbrojtjen ajrore, baza ushtarake dhe objekte të lidhura me programin bërthamor.

Të paktën 10 njerëz u vranë nga sulmet iraniane vetëm gjatë natës dhe mëngjesin e së dielës, sipas zyrtarëve.

Raketat e lëshuara nga Irani janë fotografuar në qiellin mbi Jerusalem më 14 qershor 2025.
Raketat e lëshuara nga Irani janë fotografuar në qiellin mbi Jerusalem më 14 qershor 2025.

Të paktën gjashtë njerëz, përfshirë një 10-vjeçar dhe një 9-vjeçare, u vranë kur një raketë goditi një ndërtesë banimi në Bat Yam, pranë Tel Avivit.

Daniel Hadad, komandant lokal policie, tha se 180 persona u plagosën dhe shtatë rezultojnë të zhdukur.

Katër njerëz të tjerë, përfshirë një 13-vjeçar, u vranë dhe 24 të tjerë u plagosën kur një raketë goditi një ndërtesë në qytetin arab Tamra në veri të Izraelit. Një tjetër sulm në qytetin qendror Rehovot la të plagosur 42 njerëz.

Thirrje urgjente për shtensionim

Liderët botërorë kanë bërë thirrje urgjente për shtensionim të gjendjes. Sulmet ndaj objekteve bërthamore vendosin një “precedent të rrezikshëm”, tha ministri i jashtëm i Kinës.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i hodhi poshtë këto thirrje, duke thënë se sulmet e deritanishme të Izraelit janë “asgjë krahasuar me atë që do të ndiejnë ata nga forcat tona në ditët në vijim”.

Pasojat e sulmit izraelit në veri të Teheranit, 13 qershor 2025.

Sulmi i Izraelit në Iran trondit ushtrinë, por mund t’i forcojë ambiciet bërthamore të Teheranit

Irani dhe Izraeli janë armiq rajonalë për dekada me radhë.

Irani gjithmonë ka pohuar se programi i tij bërthamor është paqësor, dhe SHBA së bashku me të tjerë kanë vlerësuar se ai nuk ka synuar zhvillimin e armës që nga viti 2003. Megjithatë, Irani ka pasuruar sasi gjithnjë e më të mëdha uraniumi në nivele afër atyre për armë dhe besohet se mund të zhvillojë disa armë brenda muajsh nëse dëshiron ta bëjë.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike e OKB-së e dënoi Iranin javën e kaluar për mospërmbushjen e detyrimeve të tij.

Irani i quan bisedimet bërthamore “të arsyeshme”

Shteti i Gjirit Arab, Omani, i cili ka ndërmjetësuar bisedime indirekte mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor të Teheranit, tha se rundi i gjashtë i planifikuar për të dielën nuk do të zhvillohet.

“Ne mbetemi të angazhuar për bisedime dhe shpresojmë që iranianët të kthehen në tryezën e bisedimeve së shpejti”, tha një zyrtar i lartë amerikan në kushte anonimiteti.

Araghchi, ministri i jashtëm i Iranit, tha të shtunën se bisedimet bërthamore janë “të arsyeshme” pas sulmeve të Izraelit, të cilat ai i quajti “rezultat i mbështetjes së drejtpërdrejtë nga Uashingtoni”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull