Juristi që denoncoi aferën CEZ-DIA: Hetimet që kanë çuar Ilir Metën në gjykatë janë vetëm maja e ajsbergut, gati të…

29 Minuta Lexim

Juristi i njohur, Romeo Kara, denoncuesi në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) i aferës “CEZ-DIA”, zbardh detaje të pathëna mbi skandalin që ka çuar ish-presidentin Ilir Meta përballë drejtësisë. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Kara flet për kontrata të manipuluara, dëshmitarë të eliminuar, dokumente financiare komprometuese dhe rolin e paprekur të djalit të Sali Berishës, Shkëlzenit në një nga aferat më të mëdha të tranzicionit shqiptar.

Ai paralajmëron se dosja ndaj Metës është vetëm maja e ajsbergut dhe se dhjetëra çështje të tjera janë gati të shpërthejnë, nëse SPAK vepron me vendosmëri.

 -Z. Kara, dosja e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka shkuar tashmë për gjykim. Sa vite burg rrezikojnë ata për akuzat që u rëndojnë?

Fakti që dosja ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka kaluar për gjykim është një zhvillim me rëndësi jo vetëm ligjore, por edhe simbolike për vendin tonë, sepse nuk kemi të bëjmë thjesht me dy individë, por kemi të bëjmë me simbole të një kulture të tërë të pandëshkueshmërisë, që ka shkatërruar moralin publik dhe ka minuar besimin e qytetarëve tek shteti.

Sa për pyetjen tuaj konkrete: bazuar në nenet përkatëse të Kodit Penal, nëse akuzat si pastrimi i produkteve të veprës penale, korrupsioni apo fshehja e pasurisë vërtetohen, dënimet e mundshme janë disa vite burg, që në disa raste mund të kalojnë dhjetëvjeçarin.Por më shumë se sa vite burg, shqetësimi im është: a do të kemi një gjykim real, të paanshëm dhe të bazuar në prova, apo thjesht një proces për të dhënë iluzionin e drejtësisë?Unë e kam ndjekur personalisht me vite këtë çështje, kam dokumentuar fakte dhe kam denoncuar hapur abuzimet.

Nuk kam folur për të bërë zhurmë, por për të krijuar një precedent: që askush të mos jetë mbi ligjin, sado i fuqishëm politikisht të jetë. Sot është momenti që sistemi i drejtësisë të tregojë nëse ka vërtet pavarësi dhe kurajo për t’u përballur me të vërtetën.Ky nuk është vetëm një proces penal ndaj dy individëve. Është një përballje historike mes dy Shqipërive: asaj që kërkon të jetojë me punë dhe ndershmëri, dhe asaj që është pasuruar me hajni, me trafiqe, me korrupsion dhe pabarazi. Në këtë përballje, unë nuk jam spektator, jam palë me qytetarët që presin drejtësi.

-Si i shihni sulmet e fundit të Ilir Metës ndaj drejtësisë dhe ndaj ish-bashkëpunëtorëve të tij?

Sulmet e fundit të Ilir Metës ndaj drejtësisë dhe ndaj ish-bashkëpunëtorëve të tij nuk janë as të reja dhe as të papritura. Ato janë shfaqja më klasike e panikut të një njeriu që e ndien fundin e pandëshkueshmërisë së tij dhe që po përpiqet me çdo mjet të mundshëm të shkatërrojë sistemin para se ai t’i kërkojë llogari. Nuk kemi të bëjmë me një përballje politike, por me një strategji vetëmbrojtjeje kriminale.

Shpifjet, kërcënimet dhe baltosjet ndaj drejtësisë janë një përpjekje për të krijuar kaos dhe për të nxitur mosbesimin tek institucionet, me shpresën se do të relativizohet faji dhe do të sabotohet procesi gjyqësor. Ndërsa sulmet ndaj bashkëpunëtorëve të tij të dikurshëm tregojnë se, në këtë betejë nuk ka më as ideale, as besnikëri, as parime, por vetëm frikë dhe interes personal.Ilir Meta është ndoshta rasti më domethënës i një politike që ka ndërtuar perandori personale mbi korrupsionin, klientelizmin dhe tradhtinë ndaj interesit publik.

Ai e ka përdorur pushtetin për të ndërtuar një mur mbrojtës për veten, jo për të ndërtuar shtet për qytetarët, dhe tani që ai mur po shembet, ka filluar të godasë gjithçka e këdo rreth tij, por tashmë është shumë vonë. As baltosja e drejtësisë, as denigrimi i ish-bashkëpunëtorëve nuk do ta shpëtojnë nga ajo që po e pret: përballja me ligjin dhe me popullin që ka tradhtuar.

-Çfarë faktesh ka mbledhur SPAK për çështjen CEZ-DIA që thuhet se ka fundosur Metën?

Çështja CEZ-DIA është një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit institucional në Shqipëri dhe, në bindjen time të thellë, është dosja që tregon qartë mënyrën se si pushteti është përdorur si mjet për pasurim të paligjshëm dhe për kapjen e shtetit. Në këtë aferë nuk ka thjesht keqmenaxhim, por ka skema të strukturuara mashtrimi, shfrytëzimi të institucioneve dhe zhvatje reale të pasurisë publike.SPAK ka në dorë një mori faktesh që janë grumbulluar prej vitesh, dëshmi, dokumente financiare, kontrata të manipuluara, urdhra politikë të dhënë nën dorë, rrjedha transaksionesh të dyshimta brenda dhe jashtë vendit.

Janë pikërisht këto prova që e bëjnë këtë dosje kaq të rrezikshme për Ilir Metën dhe për rrethin e tij, sepse tregojnë jo vetëm përfshirje personale, por edhe funksionimin e një rrjeti të gjerë korrupsioni të institucionalizuar.Kam denoncuar publikisht këtë aferë që herët, kur shumë heshtnin ose ishin pjesë e këtij mashtrimi të madh. Faktet që sot ndodhen në duart e SPAK-ut janë në përputhje të plotë me ato që unë dhe disa zëra të tjerë të guximshëm kemi ngritur prej vitesh. Edhe pse nuk mund të komentoj çdo detaj të hetimit, pasi hetimi është ende aktiv, ajo që mund të them me përgjegjësi është kjo: nëse kjo çështje ndiqet me profesionalizëm dhe pa ndërhyrje politike, ajo ka potencialin të bëhet një moment themeltar në dekriminalizimin e politikës shqiptare.

-Pse ish-presidenti përpiqet ta lërë përgjegjësinë e kësaj afere te Damian Gjiknuri?

Ilir Meta përpiqet ta zhvendosë përgjegjësinë te Damian Gjiknuri sepse ndodhet për herë të parë realisht përballë drejtësisë dhe e ndien që rrjeta po mbyllet rreth tij.Siç ndodh zakonisht me ata që e kanë ndërtuar karrierën mbi intriga dhe pazare, ai përpiqet t’i përdorë të tjerët si mburojë, siç ka bërë gjithë jetën. Gjiknuri në atë kohë ishte një funksionar i nivelit më të ulët krahasuar me pozicionin dhe fuqinë që kishte Meta si zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë pak vite përpara tij.Ky është një mekanizëm klasik: të kërkosh një “kokë turku” për të shpëtuar veten, por në këtë rast, dosja CEZ-DIA është ndryshe.

Ajo nuk mbështetet në thashetheme politike, por në dokumente, vendime qeveritare, veprime konkrete dhe zinxhir përgjegjësish që të çojnë drejt burimit të vërtetë të autoritetit: Ilir Metës. Dhe ajo që e dallon këtë rast është se drejtësia nuk po heton vetëm ‘penën që firmosi’, por dorën që e drejtoi atë firmë, mendjen që e urdhëroi dhe xhepin që e përfitoi.Meta nuk po flet si një i pafajshëm, por po sillet si një njeri i kapur, që kërkon me çdo kusht të rrëzojë këdo që mund ta fundosë bashkë me të. Sot jemi në një kohë kur loja me përgjegjësinë nuk funksionon më. Drejtësia ka nisur të ndjekë logjikën e provave, jo të spektaklit politik dhe në këtë logjikë, Ilir Meta është në qendër të aferës, jo në periferi të saj.

-Ju keni ngritur dyshime se janë eliminuar persona që kanë pasur dijeni mbi aferat e Ilir Metës. Çfarë bazash keni për këto dyshime?

Po, unë kam ngritur prej kohësh dyshime publike të argumentuara se disa persona me dijeni mbi aferat më të errëta të Ilir Metës mund të jenë eliminuar në mënyrë të dyshimtë apo janë zhdukur në rrethana që nuk janë hetuar kurrë seriozisht. Nuk kam pretenduar asnjëherë se kam prova të pakundërshtueshme për të bërë akuza penale pasi kjo është detyrë e prokurorisë, por si qytetar, si jurist dhe si njeri që ka ndjekur këto dosje prej më shumë se një dekade, ndjej përgjegjësinë morale dhe intelektuale për të ngritur alarmin kur shoh një model të përsëritur heshtjeje, frike dhe zhdukjeje të informacionit.

”Ka persona që kanë pasur role kyçe në aferat CEZ-DIA apo të tjera që lidhen me struktura të pushtetit dhe janë larguar nga kjo botë në rrethana të errëta, ose janë detyruar të heshtin përmes shantazhit, kompromisit apo frikës. Disa janë gjetur të vdekur në mënyrë të dyshimtë, të tjerë janë zhdukur nga skena publike menjëherë pasi kanë dhënë sinjale se mund të flasin dhe ajo që është më tronditëse: asnjë institucion nuk i ka hetuar këto ngjarje me seriozitetin që meritojnë.

”Ndaj, kur flas për ‘eliminim’, nuk i referohem vetëm eliminimit fizik, por edhe atij institucional, moral dhe mediatik si një heshtje e organizuar, fshehje e dokumenteve, sabotim i procedurave, transferim apo asgjësim i dëshmive. Këto nuk janë rastësi, janë pjesë e një sistemi mbrojtjeje që i ka shërbyer për vite me radhë Ilir Metës dhe të ngjashmëve me të. Sidoqoftë koha e asaj mburoje po merr fund. Unë do të vazhdoj të flas, sepse vetëm duke thyer murin e frikës mund të çlirojmë të vërtetën.

-Cili është roli i Shkëlzen Berishës në aferën CEZ? A ka fakte që SPAK nuk i ka hetuar ende, ose që pritet t’i hetojë më vonë?

Në privatizimin e CEZ-it, që është një nga aktet më të dëmshme për interesin publik shqiptar, kemi të bëjmë me një skemë që nuk mund të ishte realizuar pa një koordinim të kujdesshëm politik dhe institucional në nivelet më të larta. Janë të pakta provat e shkruara për të pohuar me bindje, po Shkëlzen Berisha ka patur një rol në atë aferë. Në këtë kontekst, roli i Shkëlzen Berishës, nëse ka patur rol, nuk ka qenë zyrtar, por mund të ketë qenë një ndër aktorët informalë me ndikim të drejtpërdrejtë në prapaskenë.

SPAK, deri më tani nuk e ka hetuar kurrë këtë çështje, që padrejtësisht u hetua nga Prokuroria e Tiranës.Pyetja që mbetet pezull është: pse mjaft individë pa funksione publike, por me akses të pakufizuar te qeveritë tona, kishin kontakte me palët që përfitonin nga një marrëveshje shtetërore? Në çdo shtet normal, kjo gjë do të ishte objekt hetimi penal, jo vetëm politik. Ndaj unë besoj se është detyrë e drejtësisë të mos e trajtojë këtë si një çështje familjare, por si një indicie serioze për ndërhyrje të paligjshme në proceset shtetërore.

”Privatizimi i CEZ-it nuk ishte një gabim teknik, por ishte një skemë e organizuar dhe çdo njeri që ka pasur rol në të, qoftë edhe joformal, duhet të thirret për të dhënë llogari. Nëse duam drejtësi të vërtetë, ajo nuk mund të ndalet para emrave të mëdhenj dhe të pajtohet me mbylljen e kësaj çështjeje.

-Mendoni se kjo është vetëm fillimi i proceseve gjyqësore ndaj Ilir Metës apo do ketë edhe zhvillime të tjera të rëndësishme?

Pa asnjë dyshim, ajo që po ndodh sot me Ilir Metën është vetëm fillimi. Ai është një simbol i një epoke të tërë korrupsioni, ku politika nuk funksionoi si shërbim publik, por si mekanizëm pasurimi personal dhe kontrolli mbi shtetin. Hetimet që kanë çuar në dërgimin e tij në gjykatë janë vetëm maja e ajsbergut. Prapa tyre fshihen dhjetëra çështje të tjera, afera të mbetura pezull, prova të injoruara dhe dëshmi që presin të zbulohen.Ilir Meta nuk ka qenë thjesht një individ që ka abuzuar me pushtetin — ai ka qenë një nyje e rëndësishme në rrjetin e lidhjeve të errëta mes politikës, biznesit dhe drejtësisë.

Dhe si çdo nyje e tillë, rënia e tij do të sjellë edhe çarje të tjera. Kemi ende për të parë zhvillime në çështje të tilla si privatizimet strategjike, koncesionet e dyshimta, ndikimi i tij mbi gjyqtarë dhe prokurorë, dhe sidomos pasuritë e tij të padeklaruara.Ky nuk është fundi i një kapitulli, por fillimi i fundit të një epoke. Sa më thellë të shkojë drejtësia në zbardhjen e së vërtetës, aq më shumë do të kuptojë publiku se për vite me radhë Shqipëria është sunduar nga një grup i vogël njerëzish që kanë ndarë pasurinë publike si plaçkë lufte. Procesi ndaj Ilir Metës është një rast prove: ose do shërbejë për të çmontuar gjithë këtë sistem, ose do mbetet një spektakël pa pasoja reale. Unë besoj dhe do luftoj që të ndodhë e para.

-A mendoni se drejtësia duhet të marrë masa më të ashpra, si sekuestrimi i pasurive të Ilir Metës, gjatë hetimeve?

Po, unë besoj se drejtësia duhet të marrë masa shumë më të ashpra gjatë hetimeve, përfshirë sekuestrimin e pasurive të Ilir Metës dhe rrethit të tij të ngushtë. Sepse kur kemi indicie serioze për pasuri të paligjshme, të ardhura nga korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës, mungesa e veprimeve parandaluese është e pajustifikueshme. Drejtësia nuk mund të ecë me hapa të ngadaltë përballë një sistemi që për vite me radhë ka vjedhur me shpejtësinë e rrufesë. Ligji antimafia dhe ligji për pasurinë e pajustifikuar e parashikojnë qartë mundësinë e sekuestrimit të pasurive që janë në dyshim për origjinën.

Dhe në rastin e Ilir Metës, kemi një sërë pasurish të deklaruara pjesërisht, apo të dyshuara si të fshehura përmes njerëz të afërt, fondacionesh, apo entitetesh që përdoren si mbulesë. Nëse këto pasuri nuk sekuestrohen tani, ato mund të zhduken, transferohen ose pastrohen, duke e bërë drejtësinë të vonuar dhe të paplotë.Drejtësia nuk ka luksin të sillet me butësi me ata që kanë qenë të pamëshirshëm me shtetin dhe qytetarët. Sekuestrimi nuk është dënim — është një masë parandaluese dhe hetimore. Nëse drejtësia nuk e përdor këtë instrument, atëherë ajo dërgon një mesazh të rrezikshëm: se pasuritë e korrupsionit janë të paprekshme dhe të mbrojtura. Ndaj, po, drejtësia duhet të veprojë shpejt, me guxim dhe pa dallim emrash. Sepse drejtësia që vonon, shpesh bëhet bashkëfajtore.

-Në këtë kontekst, si e vlerësoni përgjigjen dhe qëndrimin e ish-presidentit në përgjithësi për akuzat dhe procesin gjyqësor?

Qëndrimi i Ilir Metës përballë akuzave dhe procesit gjyqësor është një qëndrim tipik i një politikani që është mësuar të qëndrojë mbi ligjin. Ai nuk ka zgjedhur të përballet me drejtësinë në mënyrë institucionale, me argumente dhe transparencë, por ka reaguar me arrogancë, fyerje dhe viktimizim politik. Në vend që të japë llogari për pasuritë dhe veprimet e tij, ai sulmon prokurorët, gjykatësit, median, ish-bashkëpunëtorët dhe të gjithë sistemin që po përpiqet më në fund ta vendosë përpara ligjit.

Ky është qëndrimi i dikujt që për shumë vite nuk ka njohur kufij, sepse ka qenë produkt dhe njëkohësisht garantues i një sistemi pandëshkueshmërie. Retorika e tij publike është tallëse për inteligjencën e qytetarëve dhe fyese për vetë drejtësinë. Kur e sheh një ish-president që sillet si të ishte mbi ligjin, kupton sa e domosdoshme është që ky proces të shkojë deri në fund, jo për hakmarrje, por për drejtësi dhe për rikthimin e besimit publik.Ilir Meta nuk është i vetmi, por është një ndër shembujt më simbolikë të kapjes së shtetit nga korrupsioni.

Prandaj, përballja e tij me drejtësinë nuk është një akt personal, por një moment i madh i provës së sistemit. Nëse ai vazhdon të tallet me institucionet pa pasoja, atëherë rrezikojmë të dështojmë si shoqëri. Por nëse ai përballet realisht me drejtësinë, pa privilegje dhe pa favore, ky do të jetë një mesazh i qartë: se epoka e paprekshmërisë ka marrë fund.

-Çfarë mesazhi mund t’i jepni publikut për besueshmërinë dhe efektivitetin e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë?

SPAK nuk është i përsosur, por është deri më tani e vetmja dritë konkrete që kemi parë në një tunel të gjatë pandëshkueshmërie. Të gjithë e dimë se për dekada me radhë, korrupsioni i nivelit të lartë në Shqipëri ka qenë i paprekshëm. Prokuroria dhe drejtësia kanë qenë shpesh në shërbim të pushtetit dhe jo të ligjit. SPAK është një përpjekje për të thyer këtë zinxhir, dhe për herë të parë, kemi parë politikanë të fuqishëm që thirren në llogari. Ky është një përparim që nuk mund të mohohet.

Por qytetarët kanë të drejtë të jenë të kujdesshëm, madje edhe të dyshojnë. Dhe kjo është e shëndetshme. Ajo që duhet të kuptojmë është se SPAK funksionon vetëm nëse qytetarët e mbështesin me vigjilencë, jo me verbëri. Ne nuk duhet të presim mrekulli nga pak prokurorë, por duhet të ushtrojmë presion qytetar që ata të shkojnë deri në fund, pa kompromis, dhe pa ndalesa për shkak të emrit apo partisë. Unë i them qytetarëve sot: mos u lodhni duke kërkuar drejtësi!

SPAK nuk është i pagabueshëm, por është një mjet që mund të funksionojë nëse nuk e lëmë vetëm.Të gjithë ata që kanë grabitur pasurinë publike, që kanë shkatërruar institucionet, që janë pasuruar në kurriz të popullit, duhet të ndiejnë se koha e tyre ka mbaruar. Vetëm atëherë drejtësia do ketë kuptim.

-Ndërkohë nga ana tjetër, dosja “Partizani” ka shkuar për gjykim. Si e shihni këtë dhe a mendoni se Berisha do të dënohet për këtë aferë?

Fakti që dosja ‘Partizani’ për Sali Berishën ka shkuar për gjykim është një ngjarje me peshë historike për Shqipërinë. Për herë të parë, një ish-kryeministër dhe simbol i pushtetit të pandëshkueshëm në këtë vend përballet me drejtësinë për një aferë konkrete dhe me pasoja të matshme. Kjo nuk është vetëm një çështje ligjore, por një provë për sistemin e drejtësisë dhe një provë për vetë shoqërinë tonë.Rasti ‘Partizani’ nuk është simbolik, është shumë konkret.

Ai flet për mënyrën se si pushteti politik është përdorur për të përfituar pasuri private përmes ndikimit mbi vendimmarrjen shtetërore, përmes familjarëve, përmes ndikimit në prona publike. Dhe në këtë rast, kemi indicie dhe prova që për herë të parë nuk po shpërfillen, por po ndjekin një rrugë drejt gjykimit. Ky është një hap i madh përpara, pavarësisht nëse arrijmë menjëherë në një dënim penal apo jo.A do dënohet Berisha? Kjo është një çështje që i përket drejtësisë, dhe nuk mund të parashikohet me siguri. Por një gjë është e qartë: fakti që ai sot nuk është më mbi ligjin, fakti që ai është i detyruar të shkojë para gjykatës si çdo qytetar tjetër, është një fitore për shtetin e së drejtës.

Nëse drejtësia vepron me guxim dhe profesionalizëm, dhe nëse qytetarët mbeten vigjilentë, atëherë rruga drejt dënimeve reale është e mundur.Ky proces nuk është vetëm për një tokë në Tiranë, por për rikthimin e barazisë përpara ligjit, për rrëzimin e miteve të paprekshmërisë. Në fund, nuk është e rëndësishme vetëm nëse Berisha dënohet, por nëse ky rast shënon fillimin e fundit të kastës politike që ka abuzuar me pushtetin si pronë private për dekada me radhë.

-Berisha vazhdon të thotë se zgjedhjet i vodhën. Si e komentoni ju këto akuza?

Kur një politikan që ka sunduar për dekada i humbet zgjedhjet dhe nuk arrin t’i fitojë më përmes votës së lirë, fjalia e parë që thotë është: ‘Zgjedhjet u vodhën’. Ky është një refren i njohur në politikën shqiptare, sidomos nga ata që e kanë përdorur vetë manipulimin elektoral si mjet për të ardhur dhe qëndruar në pushtet. Sali Berisha nuk është viktimë e vjedhjes së zgjedhjeve — ai është një nga arkitektët e hershëm të deformimit të zgjedhjeve në Shqipëri.Le ta themi troç: kur ai fitonte, zgjedhjet ishin të rregullta; kur i humbte, ato ishin të vjedhura. Ky standard i dyfishtë është fyese për qytetarët dhe për demokracinë.

Dhe sot, kur ai ndodhet përballë drejtësisë për një aferë konkrete si rasti ‘Partizani’, është më se e qartë se pretendimi për zgjedhje të vjedhura është një manovër për të krijuar tymnajë, për të mbuluar thelbin: që ai nuk është më i paprekshëm dhe se nuk kontrollon më institucionet që dikur i kishte nën hyqëm. Demokracia nuk është pronë private. Askush nuk e ka të garantuar pushtetin përjetë. Zgjedhjet janë një garë, jo një e drejtë e lindur. Dhe kur një lider politik shndërrohet në pengesë për të ardhmen e vendit, qytetarët reagojnë me votë, me distancim, me mosbesim. Ky është realiteti që Sali Berisha nuk e pranon dot, por që shoqëria shqiptare po e kupton gjithnjë e më mirë.

-Nga drejtimi i PD-së, Berisha refuzon të dorëhiqet, edhe pse po shkel statutin. Si e vlerësoni këtë qëndrim dhe përgjegjësinë e tij për humbjen?

Qëndrimi i Sali Berishës për të mos u larguar nga drejtimi i Partisë Demokratike, pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme dhe akuzave serioze që rëndojnë mbi të, është shprehja më e pastër e një mentaliteti autokratik që nuk njeh as përgjegjësi, as limit, as parime. Ai nuk po e mban thjesht një karrige, por ai po pengon një parti të tërë të rilindë dhe me të edhe një pjesë të mirë të shoqërisë që ende shpreson në alternancën demokratike.Refuzimi për të dorëhequr veten, për të hapur rrugë, për të respektuar statutin që vetë e ka formuluar, tregon se Berisha e trajton PD-në si pronë private, jo si një organizatë politike moderne.

Kjo është fatkeqësi jo vetëm për demokratët, por për gjithë vendin sepse pa opozitë funksionale, nuk ka demokraci funksionale dhe pa dorëheqje pas dështimeve, nuk ka as moral politik, as standarde.Mbi të gjitha Sali Berishës i duhet qënia ne krye të PD për të shmangur përballjet me drejtësinë dhe vonuar fundin e tij.Përgjegjësia e tij për humbjen është e drejtpërdrejtë. Nuk mund të shpëtosh një parti duke e kthyer atë në bunker mbrojtjeje personale. Dhe aq më pak mund ta ribesosh opozitën duke i qëndruar kokëfortësisht mbi një tokë të djegur, ku nuk mbin më besimi.

Berisha është bërë sot pengesë, jo zgjidhje dhe sa më gjatë të qëndrojë, aq më e thellë do jetë kriza, jo vetëm për PD-në, por për gjithë besimin e qytetarëve në sistemin politik.Koha e liderëve që nuk largohen kurrë ka përfunduar. Sot qytetarët kërkojnë transparencë, përgjegjësi dhe rotacion. Kush nuk i ofron këto, është në kundërshtim me vetë thelbin e demokracisë.

-Si e shihni të ardhmen e Partisë Demokratike? A ekziston rreziku që partia të ndahet ose të përballet me krizë të thellë?

Partia Demokratike ndodhet sot në një nga momentet më të vështira të historisë së saj politike. Ajo përballet jo vetëm me humbje zgjedhore dhe mungesë vizioni, por edhe me një krizë identiteti, lidershipi dhe legjitimiteti. Nëse kjo situatë nuk përballet me guxim, transparencë dhe reformim të thellë, rreziku për ndarje, fragmentim dhe degradim është më real se kurrë.PD ka qenë një aktor kyç në historinë e tranzicionit shqiptar, por sot është bërë peng i një të kaluare që nuk po pranon të largohet.

Sa më shumë që e ardhmja e saj lidhet me fatin personal të një lideri të vetëm, aq më pak ka gjasa që ajo të jetë një forcë moderne, opozitare dhe përfaqësuese e vlerave që predikon. Nëse nuk ndodh një shkëputje e qartë nga modeli i lidershipit të vjetër, që ushqehet me përçarje, konflikt dhe autokraci, atëherë PD do të humbasë çdo shans për të ringritur veten. E ardhmja e PD-së nuk është e shkruar. Ajo mund të jetë një histori e rilindjes përmes vetëreflektimit dhe ndryshimit radikal.

Por po aq mund të jetë një histori shuarjeje graduale, nëse vijon rruga e mohimit të përgjegjësisë dhe e kultit të individit. Në këtë pikë, përgjegjësia është kolektive, e çdo anëtari, strukture dhe qytetari që ende beson se Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë dhe të ndershme.Shpresoj që në këtë krizë, të lindë edhe një shans i ri. Sepse pa opozitë të vërtetë, nuk ka demokraci të vërtetë. Dhe PD-ja, për të mbijetuar, duhet të zgjedhë: ose të jetë parti moderne me vlera, ose të mbetet një fantazmë e vetes.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull