Kancelari gjerman Merzi, i jep certifikaten e origjines gjermane presidentit Trump

3 Minuta Lexim

Nga Bahri Cani-

Gjermania është e kënaqur me paraqitjen e përbashkët të Trumpit dhe Merzit në Zyrën Ovale, ku Trumpi priti shumë mirë kancelarin gjerman.
Për dallim prej Zelenskit, apo dhe Macronit, Starmer dhe shumë liderëve të tjerë, mes Trumpit dhe Merzit nuk pati asnjë fërkim serioz.
Takimi filloi me një dhuratë nga Merzi, i cili i solli Trumpit një çertifikata të lindjes së gjyshit të tij gjerman nga ana e babait!
Merz ia kujtoi prejardhjen gjermane Trumpit, që ai e pranoi me një buzëqeshje. Ata u përshëndetën përzemërsisht (për dallim prej pritjes së Merkelit në mandatin e parë të tij, kur nuk ia shtriu dorën fare kancelares gjermane), për Merzin tha se ai ëshët një “përfaqësues i mrekullueshëm i vendit të tij”…
Përderisa Trump foli shumë, jashtëzakonisht shumë për këso rastesh, Merz ishte shumë i përmbajtur, foli me fjalë shumë të përzgjedhura dhe të sakta për raportet me Amerikën dhe rolin e tanishëm amerikan, për rolin e Amerikës në çlirimin e Gjermanisë nga nazizmi si dhe rolin e rëndësishëm të Trumpit në botë. „Ju jeni figurë kyçe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, i tha Merz!
Ndonjë mrekulli nuk është pritur, por në përgjithësi mund të thuhet se të dy burrat, patën një takim të mirë të parë, konstruktiv dhe pa fërkime.
Disa analistë flasin madje për një takim shumë të mirë, ndonëse unë personalisht mendoj që Trumpi ka folur tepër gjatë, ndërsa Merz shumë pak!
Sidoqoftë, mes tyre ka dhe disa dallime serioze sa i përket tarifave, luftës në Ukrainë dhe çështje të tjera, por ato nuk u diskutuan publikisht.
Trump tha se trupat amerikane do të mbeten në Gjermani, që është shumë me rëndësi strategjike dhe ekonomike. Ata folën edhe për angazhimin e përbashkët në Ukrainë dhe thellimin e bashkëpunimit.
Në përgjithësi, takimi kaloi me tone shumë të civilizuara, me seriozitetin e duhur por edhe me mirësjellje dhe buzëqeshje të shpeshta, që me siguri nuk do të thotë se raportet gjermano-amerikane me Trumpin do të jenë të lehta, por kjo është një bazë e mirë.
Siç e thash, Trump foli shumë gjatë, për raportet me Kinën, Rusinë, për dëshpërimin e tij me qëndrimet e Elon Mask etj. Por në raportet mes Trumpit dhe Merzit, nuk pati asnjë fërkim – që nuk do të thotë se nuk do të ketë qëndrime të ndryshme pas dyerve të mbyllura.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull