Kercenoi koleget gazetari nga Lugina e Presheves ndalohet nga Prokuroria ne Prishtine. Reagon UGSH

3 Minuta Lexim
Gazetari dhe drejtuesi i medias vendore ne Bujanoc Nexhat Behluli, pas kercenimit verbal ndaj disa portaleve dhe kolegeve ne Prishtine, eshte thirrur dhe me pas ndaluar prej Prokurorise se Prishtines. UGSH reagon permes nje deklarate:
Ndalimi i gazetarit Behluli në Kosovë, një precedent me efekte dhe ndikime negative
Tiranë më 01.06.2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është i shqetësuar ndaj ndalimit dhe ndjekjes penale të ndërmarrë prej Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për arsye të shprehjes së lirë por të pamatur, të drejtuesit të medias vendore në Bujanoc, opinionistit Nexhat Behluli.
Kjo masë konsiderohet e skajshme dhe përbën një rast të rrallë për marrëdhënien e organeve të drejtësisë së Republikës së Kosovës ndaj gazetarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë nën Serbi.
Shqyrtimi i kësaj cështjeje dhe trajtimi i saj, duhen parë konform legjislacionit të Kosovës, si një kazus që ka të bëjë me një gazetar shqiptar, të një pakice që jeton në vendin fqinj( administrativisht në Serbi), i cili para se të bëhet subjekt për drejtësinë, do të duhej të merrte penalitete nga mekanizma ekzekutivë vetërregullues të komunitetit dhe organizatave të gazetarëve.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë apelon pranë institucioneve të drejtësisë në Republikën e Kosovës që ndaj këtij rasti, të mbahen parasysh specifikat dhe rrethanat e një përfaqësuesi të mediave nga Lugina e Preshevës.
Në të njëjtën kohë, apelojmë për respektimin maksimal të parimeve etike dhe normave deontologjike, për përgjegjshmëri dhe kulturë në komunikimin publik, vecanërisht në marrëdhëniet dhe polemikën mediatike mes gazetarit Behluli ndaj gazetarëve apo disa online-ve në Kosovë.
Ky rast përbën një precedent me pasoja dhe efekte negative mes komunitetit të gazetarëve shqiptarë që ndajnë influenca dhe dasi skenash dhe tregjesh mediatike në hapësirën shqiptare dhe atë të Ballkanit Perëndimor.
Shpresojmë që rasti në fjalë të trajtohet me maturinë dhe përgjegjësinë më të madhe juridike si dhe të tejkalohet sa më parë, në respekt të mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe fjalës së lirë, por edhe si provë për përgjegjësinë dhe vlerën e fjalës publike dhe asaj të medias në përgjithësi.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull