Ku shkoi uraniumi i Teheranit? Gjuetia për ‘thesarin’ e programit atomik, lëvizjet e dyshimta të kamionëve

6 Minuta Lexim

Ndër të gjitha pyetjet e mbetura pezull pas armëpushimit, ka një që është thelbësore, sepse prej saj varen të gjitha të tjerat: çfarë ndodhi me mbi 400 kilogramë uranium të pasuruar në mënyrë të rrezikshme në nivelin 60% U-235 të Khamenei-t? Duhet nisur nga kjo pikë për të kuptuar çfarë mbetet nga programi bërthamor iranian pas përdorimit të 14 bombave shpuese GBU-57 të vëna në dispozicion nga presidenti amerikan Donald Trump, të afta për të shpërthyer në të ashtuquajturën “mali atomik”, pra në vendndodhjen e Fordow-t.

Versioni i SHBA-ve

Versionet janë shumë të ndryshme: për Trump, sulmi ka qenë shkatërrues (e krahasoi, në mënyrë fatkeqe, me Hiroshimën). Por sipas një raporti të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA (DIA), krahu operativ i Pentagonit – raport i publikuar nga CNN dhe gjithashtu nga New York Times – vendet e pasurimit të uraniumit nuk janë shkatërruar plotësisht (e panevojshme të thuhet që kjo ka shkaktuar zemërimin e Trump dhe gjithashtu të izraelitëve). Për shërbimet sekrete të Netanyahut, “program” ka pësuar një “vonesë prej vitesh”.

Megjithatë, po New York Times raportoi se për 007-të ekziston mundësia që Irani të ketë “vende më të vogla pasurimi”. Disa ekspertë kinezë vlerësojnë se objektivi nuk është arritur, sepse bombat GBU-57 arrijnë në thellësi deri në “60 metra”, ndërkohë që vendndodhja e Fordow-t — ai i inkriminuar, sepse përmbante ose përmban centrifugat më të fuqishme që mund të pasurojnë uraniumin në nivelin 60% — ka një thellësi prej rreth 90 metrash.

Rikonstruksioni

E vetmja gjë që mund të bëhet, në mungesë të dëshmitarëve të besueshëm dhe të paanshëm në terren, është të rikthehemi në fillim dhe të shohim cilat janë faktet e sigurta. Irani — kjo nuk ishte sekret — ka tre vende bërthamore, të cilat nuk duhen ngatërruar me centralet bërthamore për prodhimin e energjisë elektrike (përndryshe do të ishte krijuar një re atomike plot me radionuklide, siç ndodhi me Çernobilin), dhe as me industritë për montimin e armëve. Ky është një element i rëndësishëm, sepse vetë regjimi ka luajtur gjithmonë — edhe me inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) — me këtë pikë: centrifugat shërbejnë si për qëllime civile, ashtu edhe për ushtarake. Varet nga fuqia e tyre.

Pikërisht për këtë arsye, vendndodhja e Fordow është më e ‘akuzuara’ ndër të treja dhe është vënë në shënjestër nga gjeneralët. Në vendin e Natanz-it, 220 km në juglindje të Teheranit, i pari që u godit nga Izraeli, ndodheshin rreth 10 mijë centrifuga, por të mjaftueshme vetëm për pasurim në nivelin 5%, pra brenda kufijve të një programi bërthamor civil. Dhe çdo vend që ka firmosur Traktatin për Mos-përhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), si Irani, ka të drejtë për një program të tillë (në thelb pranohet që vetëm vendet që tashmë kanë armë bërthamore mund t’i mbajnë ato, në këmbim të të drejtës për të zhvilluar centrale). Ndërkohë, në malin atomik të Fordow-t, rreth 100 km në jugperëndim të Teheranit, ndodheshin centrifugat që pasuronin uraniumin në nivelin 60%. Më të pakta në numër, por më të fuqishme. Niveli i pasurimit të nevojshëm për një armë bërthamore është 90%.

Ambicia e regjimit Iranian

Për të kuptuar procesin, duhet kujtuar që U-235 është një izotop që gjendet natyrshëm në uranium, por nën 1%. Proceset e “pasurimit” rrisin përqendrimin.

Nuk ka dyshime mbi ambicien e regjimit iranian për të arritur në bombën atomike. Dhe kjo, megjithëse me ndërprerje, që nga fillimi i viteve 2000. Pasiguria qëndron në aftësinë reale për të përfunduar montimin dhe për të siguruar kapacitetin e lëshimit. Edhe pse shenjat e një programi të vërtetë bërthamor ushtarak të Iranit datojnë që në vitet pesëdhjetë, kur – siç kishte ndodhur në Afganistan – ishin vetë SHBA-të që kërkonin një aleat kundër përhapjes së Bashkimit Sovjetik.

Fotot satelitore

Që gjatë ditëve të bombardimit, fotot satelitore kishin treguar një lëvizje kamionësh përreth vendndodhjes. A kanë zhvendosur diçka në vendin e tretë, më të ri në moshë, në Isfahan? Mbetet realisht një mister se çfarë mund të kenë larguar: uraniumi nuk transportohet me lehtësi. Të vetmit që mund të japin përgjigje janë inspektorët e IAEA-s. Drejtori i përgjithshëm Rafael Grossi pritet nga presidenti francez Emmanuel Macron. Grossi ka deklaruar se është informuar nga Irani për “masat mbrojtëse të marra për uraniumin e pasuruar”. Dhe ka shtuar se “prioriteti numër një është që inspektorët të rikthehen në vendet bërthamore iraniane”. Por është e vështirë të deshifrohet përzierja e gjuhës propagandistike me atë diplomatike. Çfarë do të thotë “masa mbrojtëse”?

Ekspertët e IAEA vlerësojnë dëmet

Edhe në Ukrainë, pas sulmeve ruse, ishin ekspertët e IAEA-s ata që vlerësuan dëmet, si në vendin e Çernobilit, ashtu edhe në centralin më të madh në Europë, atë të Zaporizhzhia-s. Por në këtë rast puna është jo vetëm e rrezikshme, por edhe më e vështirë, duke pasur parasysh mbylljen e përhershme të regjimit të Khamenei-t ndaj bashkëpunimit. Këtu, mjegullës së luftës i shtohet edhe mjegulla e propagandës. Dhe rrënojat./Corriere della Sera

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull