Nga Irena Beqiraj-
Një erë e fortë sjell një kurorë letre mbi kullotë. Dashi Luigj e vendos atë në kokë. Dhe në përputhje me rrethanat vetshpallet Luigji I , Mbreti i Deleve. Me një kurorë në kokë, Luigji e di saktësisht se çfarë lloj mbreti do të ishte: erudit dhe i plotfuqishëm. Ai ndihet plotësisht i përshtatshëm për jetën mbretërore. Ndërsa antarët e mbretërisë vazhdonin të kullosin dhe të tresnin ushqimin, Luigji mban një fjalim në altoparlant, ku i njoftoi se tani e tutje, të tjerët duhet t’i shërbejnë atij. Ai dehet aq shumë nga pushteti sa mendon se në sundimin e tij duhej vendosur rregull , ndaj edhe vendosi të dëbonte te gjitha delet që nuk i ngjajnë atij.
Por Lugji nuk duhet të rehatohej shumë, pasi nuk mund te parashikonte afrimin e stuhisë. Erërat filluan sërisht të frynë, duke ja hequr kurorën.
Luigji i I, Mbreti i Deleve është një tregim për fëmijë i autorit francez Olivier Tallec I cili me saktësi dhe thellësi të përpiktë, tregon një model sjelljeje mjerisht të njohur si “dehja nga pushteti”
Të qenit i/e dehur apo i/e varur nga pushteti është më e dëmshme se çdo formë tjetër intoksikimi apo helmimi. Kjo varësi krijohet kur pushteti ushtrohet pa kufizime edhe në mungesë të plotë balance, pra kur ai konsiderohet më së shumti si e drejtë edhe jo si përgjegjësi.
Njerëzit në pushtet kur krijojnë varësi prej tij mbeten me dëshirë të plotë në një situatë për të cilën shpesh ankohen se mezi e durojnë. Por nëse depërtoni në ndjenjat e tyre të vërteta do të gjeni vetem qurravitje për një të keqe pa të cilën nuk bëjnë dot. Fundja nuk është e lehtë të shkëputesh nga një angazhim nëse krijon varësi nga shpërblimet e tij.
Njerëzit në pushtet kur krijojë varësi prej tij, përfundojnë skllevër vullnetarë të ambicjes të tyre . Përpiqen të vishen bukur, të rimodelojnë fytyrat ose trupin e tyre, por sërisht mbeten te shëmtuar sepse bëjne zgjedhje të shëmtuara. Përpiqen të diferencojnë veten nëpërmjet pozicionit , zyrës , elokuencës apo statusit por brenda mbeten persona të vegjël , duke harruar se të pushtetshëm të bën mënyra sesi u qëndron parimeve , edhe mbi te gjitha sesi arrin të qeverisësh veten.
Pushteti nuk të bëri kurrë mbajtësit e tij të fuqishëm. Përkundrazi, ai zbuloi se sa të pafuqishëm, sa të dobët apo sa të frikësuar ishin në thelb.
Ky është mësimi më i vështirë për t’ju dhënë të rriturve sado inteligjentë apo mendje hapur të duken. Ndaj francezi Olivier Tallec me humor, ndjeshmëri dhe ngrohtësi të jashtëzakonshme e ofron atë si një mësim të rëndësishëm që merret që në fëmijëri, kur për herë të parë prekim dinamikat e para të papërpunuara të pushtetit, të cilat përcaktojnë varësinë e dëshpëruar nga pushteti që shumë qënie njerëzore provojnë në moshë madhore .