Nga Bahri Cani-
Takimi i sotëm me presidentin Donald Trump do të jetë më i rëndi dhe më i paparashikueshmi deri tani, për kancelarin Friedrich Merz.
Kancealari është pritur mirë deri tani në Uashington, ka pasur mundësi të flejë madje në Shtëpinë e Bardhë, një nder që u jepet shumë pak njerëzve. Por të gjitha të tjerat do të jenë sfiduese.
Trumpi dje ka ngritur tarifat për çelikun nga 25 në 50%, e Gjermania është një prej eksportuesve më të mëdhenj të çelikut në Amerikë. Trumpi ka kërcënuar me ngritjen edhe të tarifave të tjera, e Gjermania varet shumë nga eksportet.
Tema të tjera të rënda janë Ukraina, raportet e tensionuara SHBA-BE, gjendja e mjerueshme në Rripin e Gazës dhe mospajtimet rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje, mosdakordimet rreth NATO-s…
Në veçanti paraqitja e përbashkët para gazetarëve në Zyrën Ovale mund të jetë e pakëndshme, kur shikon përvojat e disa politikanëve të tjerë.
Trumpi në mandatin e parë e ka pritur shumë keq atje madje edhe ish-kancelaren Merkel të cilës nuk i shtriu dorën fare. E të mos flasim për përvojat e Zelenskyt apo disa të tjerëve.
Për dallim prej tyre, Meloni dhe disa të tjerë janë pritur shumë mirë.
Trumpi dhe Merz kanë telefonuar njeri-tjetrin disa herë prej ardhjes në postin e kancelarit.
Raportet deri tani jane korrekte, por vetë takimi, do të jetë shumë interesant, sepse Trumpi reagon shpesh në mënyrë të paparashikueshme.