“Mund të bëhet minierë “floriri”, historiani: Si ta shpëtojmë Burgun e Spaçit

2 Minuta Lexim

I ftuar në emisionin “NOW me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, historiani Auron Tare deklaroi se burgu i Spaçit rrezikon që pas një shekulli të mos ekzistojë.

Ai kritikoi ashpër ndërhyrjen e fundit në godinë, konkretisht në dhomën e pritjes së familjarëve, duke theksuar se zgjidhja duhet të jetë me themele të forta për ruajtjen e memorjes historike, duke konservuar dhe jo duke restauruar burgun.

Tare theksoi se sfida e madhe është të ruhen të gjitha elementet, që nga gavetat dhe sandalet deri te gjithë peizazhi historik, duke theksuar se gjithçka duhet të konservohet, jo të restaurohet.

“Nuk është problem të rregullohen dy godina aty, por problemi është koncepti dhe vizioni i të gjithë zonës. Duhet të ruhen galeritë, shinat dhe vagonët që janë vjedhur për skrap. Kjo nuk ka lidhje me restaurimin e një ndërtese të vetme, por me vizionin për ta kthyer këtë zonë në një memorie historike dhe në një përfitim ekonomik për zonën. Kjo godinë punë e Maks Velo-s, përbën një kryevepër që duhet ruajtur për historinë dhe atmosferën që përfaqëson në kompleks e cila ka dhe parullat dhe shënime nga të burgosurit në muret e saj”, tha Tare.

Tare theksoi se e gjithë zona duhet të kalojë nën mbrojtje dhe, pas konservimit, të shndërrohet në një destinacion turistik që do ta kthente në një “minierë floriri” në kuptimin figurativ, duke u bërë një atraksion turistik i vërtetë.

“E gjithë zona për rreth duhet të mbrohet, jo vetëm pjesa e godinave. Duke e përfshirë në guidën turistike, burgu i Spaçit shndërrohet në një minierë floriri me vlerë të madhe. Spaçi mbart një histori të jashtëzakonshme që duhet treguar, por po rrezikojmë që pas një shekulli të mos kemi më Spaçin, pasi do t’ia vjedhin edhe tullat që kanë mbetur,” përfundoi Tare.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull