Nga sot nisin regjistrimet në kopshte e çerdhe në Tiranë, procedurat që ndiqen

4 Minuta Lexim

Nga sot, Bashkia e Tiranës hap zyrtarisht procesin e regjistrimit të fëmijëve në çerdhet dhe kopshtet publike të qytetit, si dhe kalimin e tyre nga çerdhja në kopsht. Aplikimi do të kryhet vetëm online, përmes platformës së dedikuar: e-femijet.tirana.al
Prindërit do të kenë në dispozicion një afat 20-ditor për të kryer aplikimin, i cili do të mbyllet më 22 qershor. Hapi i parë që prindi duhet të bëjë është ai i regjistrimit në këtë platformë. Pra, një llogari personale me të dhënat bazë të vetë prindit si emri, mbiemri, numri i telefonit dhe adresa e email-it.

Pasi të kenë hyrë në sistem, prindërit do të jenë përballë 4 opsioneve: regjistrim në çerdhe, regjistrim në kopsht, transferim nga çerdhja në kopsht apo transferimet nga njëra çerdhe në tjetër apo nga njëra kopsht në tjetër.
Për të regjistruar për herë të parë fëmijën në çerdhe, zgjedhin opsionin “regjistro në çerdhe” që gjendet në faqen kryesore të platformës. Në vijim, prindërit seleksionojnë njësinë administrative ku banojnë dhe më pas çerdhen apo kopshtin në atë njësi që preferojnë për fëmijën e tyre. Procedura identike ndiqet edhe për regjistrimin në kopshte. Të gjitha çerdhet dhe kopshtet në zonën ku prindërit jetojnë mund t’i gjejnë po në platformë përmes një harte të dedikuar.
Dokumentet që kërkohen për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte përfshijnë: certifikatën personale dhe atë familjare të fëmijës, vërtetimin e punës së prindërve, ku duhet të pasqyrohet edhe paga mujore si dhe vërtetimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore, që mund të sigurohen përmes portalit e-albania. Po ashtu, është e domosdoshme dorëzimi i vërtetimit të vaksinimeve të fëmijës.
Për fëmijët që kalojnë nga çerdhja në kopsht, kërkohen certifikatat personale dhe familjare, si dhe një vërtetim banimi që dëshmon se familja ndodhet pranë institucionit. Në rastet kur kërkohet transferimi i fëmijës nga një çerdhe në një tjetër, është e nevojshme të dorëzohet edhe një dokument që justifikon arsyet e lëvizjes.
Për fëmijët që i përkasin kategorive të veçanta apo atyre vulnerabël, kërkohen dokumente shtesë që vërtetojnë statusin e tyre specifik.

Që prej vitit 2015, Bashkia e Tiranës ka investuar në ndërtimin dhe rikonstruksionin e çerdheve dhe kopshteve me standarde europiane. Këto investime kanë sjellë përmirësim të ndjeshëm në cilësinë e shërbimeve dhe kushteve për fëmijët dhe edukatorët.
Përmirësimi i kushteve në çerdhe dhe kopshte nga Bashkia e Tiranës ka rritur ndjeshëm kërkesat e prindërve për frekuentimin e institucioneve publike parashkollore.

 

Adresat për secilën formë aplikimi janë si më poshtë:

Regjistrimi në platformë: https://femijetetiranes.tirana.al/regjistrimi-ne-platforme/
Verifikimi i institucioneve në hartë: https://femijetetiranes.tirana.al/verifikimi-i…/
Aplikim për kalimin e fëmijës nga çerdhja në kopsht: https://femijetetiranes.tirana.al/aplikim-per-kalimin-e…/
Aplikim për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe: https://femijetetiranes.tirana.al/aplikim-per…/
Aplikim për regjistrimin e fëmijëve në kopsht: https://femijetetiranes.tirana.al/aplikim-per…/
Aplikim për transferimin e fëmijës në një çerdhe tjetër: https://femijetetiranes.tirana.al/aplikim-per…/
Aplikimi për transferimin e fëmijës në një kopsht tjetër: https://femijetetiranes.tirana.al/aplikim-per…/
Ngarkimi i faturës për pagesën e fondit të garancisë: https://femijetetiranes.tirana.al/ngarkimi-i-fatures-per…/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull