Nga Pozaet Qose-
Duke besuar se jam i saktë( për këtë më ka ndihmuar libri i Bujar Balliut ”Nobel, laureatët e letërsisë” dhe informacione nga burime te tjera) kam vënë re se, nga të gjithë autorët e nderuar nga juria e Nobelit, asnjëri nuk ka qenë shkrimtar i letërsisë për fëmijë.
Natyrisht, të kuptohemi që në fillim se e vlerësoj secilin prej tyre për prurjet e veta në tërësinë e veprës a një vepër të veçantë në rrafshin e stilit, mesazheve, gjthëkohësisë e shumëçkaje tjetër, por prapë seç më le një shije të athët mungesa mes tyre e ndonjë shkrimtari të kësaj lloj letërsie.
Çdokush prej nesh, përpara se bëhej i rritur, ka qenë fëmijë dhe njohjet e tij të para me letërsinë i ka nisur në këtë moshë.
Po atëherë, pse vargut të nderuar të nobelistëve të letërisë i mungon një autor i tillë? Mos veprat e këtij grupi shkrimtarësh nuk i kanë përmbushur treguesit e duhur, për t’u vlerësuar me këtë trofe? Ndoshta. Por “ Aventurat e Tom Sojerti e Hakëlberri Finit” të Mark Tueinit, s’besoj se bien më poshtë si vlera nga romanet e Hemingueit apo “Pinoku” i Kolodit druaj se nuk është më pak i çmuar se proza e Pirandelos.
Pse pra, autorët e letërsisë për të vegjël janë lënë jashtë kësaj përzgjedhjeje? Mosnjohje? Nënvlerësim? S’e di.
Cilado të ketë qenë arsyeja nga dy të mësipërmet a ndonjë tjetër, për të cilën tani s’më shkon mendja, keqardhja për këtë shpërfllje do të ishte e njëjtë.
Kemi harruar, mbase, se letërsia për fëmijë është më e vështira, por edhe më e bukura e më e sinqerta. Ma do mendja se këtu këndshikimi e këndgjykimi ynë është i njëjtë.
Para pak vitesh u nderua me këtë çnim prestigjioz të përbotshëm edhe Bob Dilani për lirikat e tij, të kthyera në këngë. Fort mirë. Por, a nuk pati ndonjë shans që ndonjë autor i shenjuar si mik/e i/e mirë i fëmjëve me librat e veta t’i bashkëngjitej kësaj elite shkrimtarie?
E shfrytëzova këtë copëz ligjërimi si trampolinë, për të dalë te letërsia shqipe për fëmijë; ajo e traditës dhe bashkëkohësja.
Është fakt i pamohueshëm që edhe letrat shqipe kanë emrat e tyre të kësaj fushe. Unë po guxoj të përmend disa prej tyre, duke kërkuar paraprakisht mirëkuptimi tuaj për emrat e përmendur; Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Mitrush Kuteli, Gaqo Bushaka, Odise Grillo, Astrit Bishqemi, Adelina Mamaqi,, Rifat Kukaj, Ymer Elshani, Shkëlzen Zalli, Skënder Hasko,Vangjush Saro, Viktor Canosinaj, Elmas Qerreti.
Të gjithë këta emra energjitë e tyre krijuese, si artistë të fjalës, ia kushtuan letërsisë për të vegjlit dhe meritojnë për këtë nderimin më të thellë.
Ka sot dhe disa emra të rinj, si ai i Rudina Xhungës, Rudina Çupit, Flogerta Krypit, Leidi Shqiponjës e të tjerë(ndjesë për mospërmendjen e tyre!) që i kanë kthyer sytë nga veprat letrare për të vegjlit e adoleshentët, me dëshirën për të mbushur një boshllëk letrar e për të kryer një shërbim të çmuar për ata, që kanë nevojë ta kenë të shenjuar botën e tyre në trajtë vepash letrare.
A ia kanë arritur a jo qëllimit, këtë, më mirë se cilido tjetër e dinë të vegjlit. Unë, përsonalisht, dyshoj se suksesi në këtë ndërmarrje ka qenë i duhuri, pasi shpesh, nën emërtimin “letërsi për fëmijë” gjenden ca tekste larg fëmijëve, që nuk jam i sigurtë në i kuptojnë edhe të rriturit.
Vlerësoj mbështetjen financiare të botimeve për fëmijë nga ministria e përzier, ku bën pjesë dhe ajo e Kulturës, por kjo nuk duhet kthyer si qëllim në vetvete, duke akorduar fonde çdo vit, edhe nëse ndodh që vlerat letrare të financuara nuk janë në nivelin e dëshiruar.
Në përfundm të këtyre radhëve, më duhet të them se asnjë punëtor i fjalës nuk duhet ta quajë të mbaruar detyrën e vet, nëse nuk shkruan të paktën një libër të vlefshëm për ata që janë bukuria dhe kuptimi i jetës.