Nga Enver Robelli-
Ukraina ka kryer ndoshta operacionin më spektakular kundër diktaturës ruse që prej se Vlladimir Putini urdhëroi pushtimin e vendit fqinj në vitin 2022. Shërbimi sekret ukrainas, me gjasë, ka arritur të fusë në territorin rus disa kamionë të ngarkuar me dronë, t’i parkojë ata pranë bazave ushtarake dhe më pas, me dirigjim nga Ukraina, të lëshojë dhjetëra dronë në sulm.
Sipas të dhënave të palës ukrainase, gjatë fundjavës janë shkatërruar 41 aeroplanë luftarakë rusë, përfshirë fluturake shumë të shtrenjta. Janë goditur pesë baza të forcave ajrore ruse, mes tyre edhe një në Siberi, gjë që tregon përmasat mahnitëse të këtij aksioni, i cili ka gjasa të hyjë në histori.
Zyrtarët rusë konfirmuan se bazat ushtarake në Murmansk, Irkutsk, Ivanovo, Rjazanj dhe Amur janë qëlluar. Sipas burimeve ukrainase, operacioni me emrin “Spiderweb” është përgatitur për 18 muaj me radhë, nën mbikëqyrjen e presidentit Vollodimir Zelenski.
Ky sulm i Ukrainës nxjerr në pah dobësitë eklatante brenda sistemit rus të sigurisë. Blogerë të afërt me regjimin në Moskë kanë shkruar në kanalin Telegram se ky operacion është “Pearl Harbouri i Rusisë”.
(Harta e Rusisë me bazat e sulmuara është publikuar nga The Washington Post.)