“Odiseu” shqiptar i kinemase boterore sot do te mbushte 89 vjec…

4 Minuta Lexim
Nga Fahri Musliu-
Bekim Fehmiu: ti ke vetëm ditëlindje, sot është e 89-ta. Sepse nuk vdesin kurrë ata që lënë gjurmë të thella në skenën kombëtare e veçmas në atë botërore me veprat e veta.
Me ty lindi Ylli Polar i aktrimit i cili do të shëndërrit për jetë e mot në qiellin e artit të shtatë kudo që shkeli këmba jote prej artisti. Atje ku ti me shkronja të arta e shkrove emrin e shqiptarit e të Kosovës, në kohën kur për ta pak, ose aspak, nuk dihej në botë. Ti, Bekim i bekuar, na bëre krenar e të lumtur që edhe ne të ndiheshim pjesë e botës së civilizuar, dhe për këtë të jemi borxhlinj. Sepse ishe i rralli dhe mbete i vetmi i cili i tregove botës se edhe ne shqiptarët kemi aftësi për ti dhënë njerëzimit vlera artistike. Ishe profesionist dhe perfekcionist i pakompromis dhe me asgjë nuk pranove të t’a ndërrojnë as edhe një gërmë nga emri apo mbiemri, duke u thënë se “ky emër është identiteti im personal, familjar e kombëtar…”
Ti madje e bëre edhe një veprim të veçantë, siç ishe i veçant në jetë dhe në profesion: e la amanet që hiri i trupit tënd të hidhet në lumin e Prizrenit , që t’i e njihje si Bistricë, dhe kështu iu ktheve Ujit, Tokës dhe Qiellit të qytetit që aq shumë e deshte. Dhe shkrove Odë për te në librin autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”. Prandaj Prizreni edhe t’a ka borxhin më të madh.
Edhe për së vdekuri fizikisht ia dole ti bashkosh shqiptarët mesveti dhe me tjerët. Sepse the se Kosova ka shumë varre dhe nuk dua t’ia shtojë edhe një.
Edhe përkundër kësaj ka të tillë që këtë nuk e kuptojnë siç nuk e dinë vlerën tënde, si minierë e artë e kulturës shqiptare nga e cila u linde dhe i tregove botës se edhe shqiptarët mund të arrijnë të pamundshëm në konkurencë tepër të madhe, dhe të bëjnë emër e famë botërore. E arrite qëllimin që ia shtrove vetes kur e regjistrove aktrimin në Akademinë për Teatër e Film në Beograd dhe ia dole, ndonëse nuk e njihe as gjuhën serbokroate në fillim, të bëhesh student i shkëlqyeshëm dhe të diplomash në afat, përkundër konkurrencës së ashpër.
Ashtu siç ja dole, po në atë konkurrencë të bëhesh aktor më i mirë, ishe i pari nga blloku komunist evropian që e theve perdën e hekurt ideologjike dhe arrite në Holivud. Kah do që shkove rrezatove dhe përhape dashuri, mirësi, miqësi mes njerëzve dhe vlera të larta profesionale e humane.
Mirëpo, ka të tillë që nuk e kuptojnë akoma vlerën tënde artistike, njerëzore, intelektuale, kombëtare.
Ti ke ikur fizikisht, i dashur Bekim, por do të mbetesh Yll Polar që do të shndërrit për jetë e mot.
URIME DITËLINDJA E 89-të IKONË E FILMIT BOTËROR!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull