“PD parti e humbësve serialë dhe pleqve dështakë”, Balliu: Berisha të dorëhiqet, të respektojë statutin

5 Minuta Lexim

Sali Berisha duhet të dorëhiqet nga PD pas humbjes së zgjedhjeve, duke respektuar statutin e partisë dhe bashkë me të edhe Flamur Noka dhe kasta drejtuese. Kështu u shpreh kandidatja e Primareve në Elbasan, Alesia Balliu.

Balliu tha në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv se do vendosë edhe kandidaturën për të garuar për kreun e partisë, pasi në PD duhen bërë zgjedhje të reja pas humbjes më 11 maj.

Ajo e cilësoi PD-në si partinë e “humbësve serialë dhe pleqve dështakë”.

“Çfarë mesazhi jep PD-ja me kërkesën e rinumërimit të votave në Tiranë dhe në Fier. Unë jam e mendimit që nëse ka pasur shkelje të arrestohen nga SPAK, gjithmonë nëse ka. Këta po akuzojnë për vjedhje votash brenda PD-së njëri-tjetrin. I qëndroj deklaratave të mia si një emër i ri. Si kandidaturë kërkoj hapjen e partisë.  Nuk mund ta lëj PD-në në dorën e disa pleqve dështakë. Njerëzit me kontribute i lanë jashtë për të futur Roshin në listë. Koha e këtyre pleqve ka mbaruar, partia duhet hapur, të ketë garë. Kaq e pamundur është që PD të mos ketë lidership të ri, reale, një të djathtë që të mos jetë e shitur”, tha Balliu.

Ajo i quajti humbës serialë drejtuesit e PD-së me në krye Berishën dhe të paaftë për të fituar zgjedhjet nga 2013, ku regjistrojnë 10 dështime radhazi.

“Janë të paaftë për të pranuar humbjen dhe realitetin dhe të bëjnë analizën e zgjedhjeve. Kanë vetëm 45 deputetë se 5 i kanë aleatët, këto janë kundër garës dhe statutit, janë kundër gjithçkaje, ishin të përgatitur për të humbur, ndaj futën edhe Roshin. E vërteta e këtyre është se janë humbës serialë dhe dështakë. Nga 2013 e deri tani, janë 10 palë zgjedhje. Berisha është i gëzuar, fitoi legacinë për të qenë partia e dytë në vend. Berisha duhet të dorëhiqet, e thotë statuti. PD e certifikoi vetë humbjen e saj. Neni e ka të shkruar, duhet të dorëhiqet. Aty shoh se nuk ka iniciativë dhe alternativë. Duhet ë ketë zgjedhje, të formatohet e djathta, të mos kalojë nga humbja në humbje. Ata që s’duan ikjen e Berishës, duan Ramën në pushtet”.

Ajo u shpreh e gatshme që të hedhë kandidaturën për PD-në, por jo që të përsëritet farsa e Primareve si një ‘patericë’. Kandidatja e Primareve në Elbasan theksoi se edhe Aulon Kalasë në Durrës iu vodhën votat që të bëhej deputet njeriu i preferuar i familjes Berisha, sepse ashtu ishte dhënë urdhri.

“Unë jam e gatshme t’i bashkohem çdo gare që sjell zhvillim dhe kundër një gare që është farsë, siç eprovova njëherë me Primaret. Nëse do jetë për shpresë ndaj shqiptarëve do jem aty, nëse do jetë për patericë e pleqve dështakë, nuk mund të jem pjesë e asaj fasade dhe e humbjes së radhës. Zëra kritikë ka shumë, edhe nga deputetë aktualisht të zgjedhur, që bëjnë fajtorë kupolën aktuale të PD-së për dështimin.

Të respektojë statutin që thotë se kryetari që humbet zgjedhjet, jep dorëheqjen. Por ato zëra nuk duhet të bëhen paterica të Berishës dhe pleqve dështakë atje. Edhe Aulonit iu vodhën votat brenda partisë në Durrës sepse ishte i preferuari i familjes Berisha, ish-prokurorit Arjan Ndoja. Nga informacionet që kam është se u punua për të, sepse ishte kërkesë e familjes Berisha që të bëhej deputet. Kanë bërë edhe denoncime dhe kallëzime në SPAK, me iniciativë vetë ata, pa mbështetje partiake dhe duhen përgëzuar”.

Në fund ajo theksoi se bashkë me Berishën duhet të largohet edhe kasta dështake e partisë.

“Ka dhe individë të shumtë që përgëzojnë, madje ka dhe nga ata që do kërkojnë për largimin dhe dorëheqjen e Flamur Nokës në PD. Nuk ka kuptim që të iki Berisha dhe të rrijë Flamuri bashkë me kastën. Shumë nga deputetët që janë aty kanë pakënaqësi të madhe ndaj Berishës”, përfundoi Balliu.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull