Nga Zija Çela-
– Cila është? –
Është poetja Mirela Papuçiu, e spikatur mes nesh dhe përtej nesh. Nga 19 deri më 22 qershor ajo do të jetë në Francë, e ftuar në Panairin e Poezisë në Paris ku, bashkë me shtatë poetë të huaj, në katër ditë do të ligjërojë në katër seanca. Kush gëzon vetëm për veten, do të ketë më pak gëzime, kush gëzon edhe për të tjerët, do të jetë më shpesh i gëzuar.
Si ta përshëndes miken para udhëtimit? Nisur nga një komunikim i mëparshëm, po provoj një përgjigje të re.
Mirela PAPUÇIU: Mjeshtër, sa mbushem prej asaj që del nga dora, zemra e mendja jote!
Aq sa mendoj që, po të kishte një pyetje se prej ç’ lënde është i përbërë Zija Çela, pergjigjja do të qe: “Prej letërsie.”
Edhe elementet reale të jetës tënde duket sikur i janë dorëzuar konvertimit të plotë. Ndaj, edhe pse njerëzor, ka diçka krejt të pakapshme tek ti… Është ajo, aureola.
Z. ÇELA: E shtrenjta Mirela, jo rastësisht më erdhi ndër mend procesi i ndërlikuar që kalon një qenie e brishtë e kësaj bote. Ajo herë skuqet – a thua i vlon gjaku pasionant nëpër vena?, herë zverdhet – a thua nga trazimet që i vorbullojnë përbrenda?, herë zbardhet – a thua për të mishëruar tek vetvetja dritën që ka çiltërsia dhe fisnikëria shpirtërore?
Çfarë ndërkalimesh sublime, mikja ime! Dhe tërë ky mundim, tërë ky përballim vetëm e vetëm me një qëllim: për të gëzuar syrin njerëzor. E pra, një Zot e di ç’ka hequr vetë, që asaj bukurie t’i japë jetë.
Mirëpo, me gjithë shërbesën e pareshtur, për kopshtarin e kopshtaren nuk ka aureolë. Nuk ka, sepse adhurimi s’u takon atyre, por vetë trendafilit që e ka pranuar përulësisht vuajtjen e ambël te krijijimit, pa e ditur nëse do të jetë i shpërblyer një ditë.
Si më erdhi ky perfytyrim? Ma nxiti krijimtaria jote pra, lirika jote moderne gjithë jetë, nerv qytetar, bashkëkohësi e guxim stilistik. Por edhe plot ngulm gjithashtu, ngjyra e freski, siç ngjet me trëndafilin kur ngjiz Poemën e tij.
E tash po ta nis Poemën e vogël që buroi prej teje, jotja qoftë për sot e për nesër. Për hir të metamorfozës me të cilën m’u shfaq, pranoje të lutem si shenjë procesi spontan në dialogun tonë.