Preferon të kesh djalë apo vajzë?

5 Minuta Lexim
Nga Çapajev Gjokutaj-
Përherë e më shumë prindër në gjithë botën, të gjendur para dilemës: ‘do të dëshironit djalë apo vajzë’, preferojnë vajzat. Kështu thotë një shkrim i The Economist, i mbështetur mbi një serë sondazhesh prestigjoze.
Duke vazhduar leximin kupton se pavarësisht kësaj prirjeje globale, realiteti është shumë më i ndërlikuar. Në rrjedhën natyrore të gjërave numri i djemve të lindur ka qenë trdicionalisht më i madh se numri i vajzave, konkretisht 105 djem për 100 vajza.
Arsyeja e diferencës, thonë shkencëtarët, është përcaktur nga fakti se burrat kanë qenë më të ekspozuar ndaj rreziqeve vdekjeprurëse sesa gratë, kështuqë natyra, me një mekanizëm që shkenca akoma nuk e shpjegon dot, krijoi normën 105 për 100.
Në shoqëritë tradicionale, pothuajse në të gjithë botën djemtë preferoheshin më shumë sesa vajzat dhe kjo i kishte rrënjët në faktin se djemtë trashëgonin emrin dhe pronën e familjes, kurse vajzat, si rregull, martoheshin e largoheshin në familje të tjera. Vazhdimësia e fisit dhe ruajtja e shtimi i pronës patjetër që do kishte përparësi.
Parapëlqimi për të patur djem solli një masakër kriminale, duke filluar nga vitet 1980, kur teknologjia e ultratingullit bëri të mundur dallimin herët të seksit të fetusit. Zbulim i madh ky, hap i madh përpara por fillimisht u shoqërua me një shfarosje thuajse masive të fetuseve femra. Llogaritje të tërthorta, thotë The Economist, dëshmojnë se kjo masakër gjinore ka sjellë abortin e më shumë se 50 milionë fetuseve femra. Një kasphanë e vërtetë, 10 deri në 15 milionë më shumë sesa numri i gjithë civilëve të vrarë gjatë L2B.
Teknologjitë sot ia kanë bërë të mundur njeriut të ndërhyjë në shumë gjëra e të krijojë iluzionin se po e vë natyrën nën hyqëm. Po rezulton se ky iluzion, herët a vonë ndëshkon në një mënyrë a në tjetrën. Rritja jashtë normës e numrit të meshkujve në vende si Kina, India etj ka krijuar çrregullime të renda sociale si kriminalitet i shtuar, trafikim qeniesh njerëzore etj.
Preferenca prindërore për të patur vajza krahasuar me djemtë është në fillimet e saj dhe ngjan se akoma nuk ka krijuar probleme sociale. Megjithatë në vendet e zhvilluara po shtohet kujdesi për të kapur qysh herët problematika që po shfaqen. Norvegjia psh ka krijuar Komisioni për Barazinë e Burrave qysh në vitin 2022.
Thuhet se prefrenca për të patur vajza ka prirje të bëhet globale, por gjithsesi buron nga faktorë të ndryshëm. Në vendet e zhvilluara ndikojnë arsye të tilla si: djemtë, veçanërisht në moshën e adoleshencës dhe të rinisë së hershme janë shumë më problemorë e më devijantë ndaj normave sociale, vajzat janë më të buta dhe krijojnë atmosferë të këndshme në familje, janë më të dhembshura dhe përkujdesen më shumë për prindërit e moshuar etj. Edhe në Afrikën Subsahariane po vihet re një preferencë e lehtë për të patur vajza, por arsyeja duket se është krejt e kundërt, jo shpirtërore po materiale: familja e dhendrit i paguan familjes së nuses një shumë të konsiderueshme.
Nuk kam hasur ndonjë studim a sondazh për preferencat e prindërve ndër shqiptarët. Kam përshtypjen se prindërit e rinj që njoh preferojnë vajza krahasuar me djem, por kjo është thjesht përshtypje, për më tepër është krijuar mbi një numër shumë të kufizuar prindrish të rinj dhe pothuajse vetëm nga zona urbane.
Duke lexuar artikullin e The Economist, m’u kujtua babëzoti, ikur nga kjo jetë 70 e kusur vjet të shkuar. Para se të bëhej me dy djem patën vetëm vajza, mes tyre edhe time më, që e quajti Amise, ose e pesta. Kur njerëz dritëshkurtër i qanin hallin për ‘hatanë’ që e paskish gjetë, ua kthente: paçin dhe ata që s’kanë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull