Një mbrëmje me emocione dhe vlerësime për artistët e Pilurit është përcjellë dje në qendër të fshatit. Në kuadër të Javës së Evropës, me pjesëmarrjen e Ambasadorit të BE në Tiranë, Shkëlqesinë e Tij, zotin Silvio Gonzato, kryetarit të Qarkut të Vlorës zotin Elvis Mocka dhe profesorë dhe autoritete vendore u organizua transmetimi i premierës së dokumentarit “ Vëndce” me autor regjisorin Lorin Terezi.
Ndërkohë që Këshilli i Qarkut akordoi vlerësimet e larta “ Personaliteti i Qarkut Vlorë” për artisten e famshme të Grupit të Pilurit Vasillo Lapa Koka, të njohur ndryshe si “ Bejka e Bardhë”, dhe fyelltarin legjendar të Grupit të Pilurit dhe Grupit “ Bejkë e Bardhë”, zotin Milto Gjicali si dhe për moderatoren Shqiponja Veshaj Pazaj.
Kryetari i Qarkut zoti Elvis Mocka vlerësoi kontributet kulturore të artistëve dhe interpretuesve të vlerësuar dhe inkurajoi të pranishmit për vijimin e traditës së shkëlqyer të pasurimit dhe mbartjes së trashëgimisë kulturore kombëtare shqiptare.
Në aktivitet, vec artistëve të vlerësuar, folën edhe Prof. Bardhosh Gace, drejtuesi i Ansamblit “Bejkë e Bardhë”, Mjeshtri i Madh Kristo Cipa, si dhe përfaqësues të tjerë.
Të pranishmit vlerësuan dokumentarin “Vëndçe”, të regjisorit, i cili i kushtohet përgatitjes dhe rrugës formuese të krijimit të ri dhe të sukseshëm “ Konovaka” ndërsa po realizohej nga Grupi polifonik “ Bejkë e Bardhë”, i Pilurit për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Në dokumentar sillet një vështrim intim në jetën e përditshme të këtyre këngëtarëve dhe Grupit, të lidhur mes tyre nga dashuria për traditën dhe vendin dhe ambicien për risi dhe prurje të reja në krijintarinë popifonike të këngës vëndce shqiptare.
