Nga Erisa Mucaj-
Soprano e famshme shqiptare Ana Naqe kulmon sot në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit turneun e vet bashkë me artisten Fjorda Veizaj.
Turneu ka stacionuar në disa prej kryeqendrat kulturore të rajonit dhe Europës, ndërsa rezervon një koncert të posacëm për Tiranën. E shprehur për mediat, Ana Naqe shton se :” Repertori është “ Rrefim Pertej Kufijve” si një domethënie e dalë prej fatit dhe realitetit të emigracionit, dhe sidomos të botës së artistit të këtij entiteti, për të cilin muzika nuk ka kufi në asnjë vend dhe ky është rikthim në operan time më të dashur,- shton sopranoja.
Më tej saktëson se në repertorin e zgjedhur sillen kryevepra muzikore të cilat kanë ngjallur interesimin e artistëve dhe artdashësit nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë vende europiane.
Artistja Ana shton se :” Eshtë shumë i rëndësishëm ky turne, pasi e kam prit aq shumë të këndoj për artdashësit e mi, sepse më mungojnë. Më mungon drita e syve, fytyrat e tyre, energjia dhe gjuha ime!”
Koncerti i ditës së dielë në orën 20.00, në TOB, pritet me interes të posacëm nga instrumentistë dhe këngëtarë të muzikës operistike dhe asaj klasike.
Karriera tejet e suksesshme e sopranos Ana Naqe, e cila prej vitesh jeton në Belgjikë, e ka renditur atë ndër zërat më potencialë në shumë skena europiane.
Cilësitë e rralla artistike dhe profesionale të sopranos i kanë dhënë vend në skena me famë botërore si në Francë, Spanjë, Itali, Belgjikë etj.
Madje në karrierën e saj përfshihen edhe interpretime të suksesshme jo vetëm në skena, por së fundi edhe në kinematografi.
Turneu i tanishëm përfshiu një koncert recital, dy ditë më parë, në Chopin Piano Fest Prishtinë dhe dje, në Tiranë kushtuar fëmijëve me Down Syndrom.
.
