Sulmi i SHBA ndaj Iranit mund të jetë më i madh nga sa mendohet: Ja dy skenarët e mundshëm

3 Minuta Lexim

A janë SHBA pranë përfshirjes në luftën Izrael-Iran në Lindjen e Mesme?

Si do të dukej një sulm nga Trump ndaj mullahëve dhe si do të reagonte regjimi në Teheran?

Sipas mediave amerikane, Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka miratuar planet e ushtrisë për një sulm ndaj regjimit të mullahëve në Iran dhe ushtrisë së tij. Sipas “Wall Street Journal” dhe “New York Times”, mungon vetëm urdhri përfundimtar për sulmin.

Pyetja është: Sa shumë do të angazhohen SHBA-të përkrah Izraelit në luftën kundër Iranit? Amos Yadlin, ish-gjeneral i Forcave Ajrore izraelite dhe dikur shef i inteligjencës ushtarake, përmend për BILD dy opsione të mundshme.

Skenari 1: Trump sulmon në mënyrë të izoluar impiantin bërthamor në Fordo 

I pari është një sulm i izoluar dhe i synuar ndaj impiantit bërthamor nëntokësor në Fordo. Ky sulm, sipas Yadlin, do ta kthente shumë prapa programin bërthamor të Iranit dhe do të dërgonte një mesazh të qartë për regjimin në Teheran.

Fjalë për fjalë ai thotë: “Një sulm vetëm ndaj Fordo-s do të ishte një goditje e madhe për programin bërthamor iranian dhe do t’i bënte të qartë regjimit se SHBA do të tërhiqet, nëse Irani nuk reagon ushtarakisht – dhe kështu do të hapej rruga për negociata”.

Për një sulm të tillë, SHBA do të përdorte armë shkatërruese për bunkerë të tipit GBU-57. Këto mund të depërtojnë deri në 60 metra dhe e betoni, duke shkaktuar dëme të mëdha në thellësi të nëntokës.

Megjithatë, Irani ka gjasa të hakmerret ndaj bazave ushtarake amerikane në Gjirin Persik, prandaj Yadlin e sheh opsionin e dytë si më të mundshëm.

Skenari 2: Sulm i gjerë ushtarak nga SHBA 

Ky opsion i dytë, sipas Yadlin – i cili në vitin 1981 mori pjesë si pilot lufte në sulmin ndaj reaktorit bërthamor irakian në Osirak – do të ishte një goditje ushtarake më e gjerë. Një ndërhyrje e tillë mund të parandalonte paraprakisht një hakmarrje të mundshme iraniane për sulmin ndaj Fordo-s.

Sipas Yadlin, do të duhej të shënjestroheshin edhe pozicionet raketore iraniane që mund të kërcënojnë objektiva amerikane në Gjirin Persik, si dhe forcat që mund të përgatiten për të bllokuar ngushticën e Hormuzit.

“Një sulm më i gjerë nga SHBA, si një mënyrë për të parandaluar hakmarrjen iraniane, do të përfshinte gjithashtu në shënjestër raketat që kërcënojnë interesat amerikane në Gjirin Persik, si dhe forcat iraniane që mund të tentojnë bllokimin e ngushticës së Hormuzit,” shpjegon ai.

Nuk është e qartë nëse Donald Trump do të japë dritën jeshile për operacionin. Arsyeja: ndryshe nga Izraeli, që ndodhet rreth 1000 kilometra larg Iranit, Irani mund të hakmerret rëndë ndaj bazave amerikane në rajon, të cilat ndodhen në disa raste vetëm 100 kilometra larg territorit iranian. (BILD)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull