Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.8 ballë i shkallës Rihter goditi natën mes ishullit të Rodosit dhe bregdetit të Turqisë, duke shkaktuar panik dhe dëme materiale. Lëkundjet u ndjenë rreth orës 02:17 dhe zgjatën për disa sekonda, ndërsa mediat greke raportojnë se nuk ka dëme në njerëz, vetëm dëmtime të vogla në infrastrukturë.
Banorët dhe turistët në Rodos u alarmuan nga lëkundjet e forta dhe dolën nga hotelet për t’u siguruar. Ndërkohë, autoritetet lokale kryen kontrolle të shpejta në zona të ndryshme për të vlerësuar situatën.
Në Turqi situata ka qenë më e rëndë. Tërmeti i fuqishëm u ndje në qytete si Mugla, Izmir, Antalia dhe Manisa, duke shkaktuar panik masiv. Një vajzë 14-vjeçare humbi jetën nga një sulm paniku, ndërsa 69 persona të tjerë u plagosën duke u hedhur nga ndërtesat në frikë për jetën e tyre.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, shprehu ngushëllimet për viktimat dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit në këto momente të vështira.
Tërmeti ka tronditur fort zonën, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë kontrollet dhe ndihmën për banorët e prekur.