Tragjedia e Tempit me 53 viktima: Akuzohen 14 figura politike, mes tyre dhe kryeministri grek

3 Minuta Lexim

Ka filluar prej mëngjesit seanca plenare në parlamentin grek për ngritjen e Komisionit paraprak sa i përket tragjedisë së përplasjeve të dy trenave në luginën e Tempit, aksidentit fatal ku humbën jetën 53 persona.

Siç raporton gazetari i Top Channel në Greqi, Aleksandër Marku, ky komision do të zhvillojë hetimet bazuar në 3 propozimet që kanë paraqitur partitë PASOK-KINAL, Demokracia e Re dhe një propozim i përbashkët i nënshkruar nga grupet parlamentare të disa partive të tjera, ku bie në sy për herë të parë akuza e tradhtisë ndaj atdheut, ndaj kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.

Propozimi i grupit parlamentar PASOK-KINAL, i paraqitur i pari në kohë, kërkon dërgimin në Komisionin Hetimor lidhur me “tragjedinë e Tempi-t”, për kryerjen e mundshme të veprës penale gjatë ushtrimit të detyrës, ish-Ministrat e Transportit dhe Infrastrukturës Konstantinos Ach. Karamanlis dhe Christos Spirtzis, si dhe 7  ish-Zëvendësministrave.

Propozimi i grupit parlamentar të partisë në fuqi, Demokracisë së Re, i paraqitur i dyti në kohë, kërkon ngritjen e komisionit hetimor për të hetuar nëse Konstantinos Karamanlis i Achilleas ka kryer shkelje të detyrës (kundërvajtje) konkretisht në periudhën nga shtatori 2021 deri më 28/2/2023.

Propozimi i tretë, i paraqitur i fundit,  që mbështet edhe propozimin e familjarëve të viktimave, është ai i nënshkruar nga grupet parlamentare të partive “Zgjidhja Greke“, “Fitorja ”, “Lundrimi i Lirisë“  dhe 6 deputetë të pavarur.

Ata kërkojnë  dërgimin në komisionin hetimor të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, 3 ish-Ministrave të Infrastrukturës dhe Transportit ,7  ish-Zëvendësministrave, si dhe çdo personi tjetër përgjegjës, kryesor apo bashkëpunëtor, për kryerjen e disa veprave penale mes tyre tradhti e lartë ndaj atdheut, vrasje me dashje të mundshme të shumë personave , dëmtime të rënda dhe të rrezikshme trupore në seri me dashje, keqpërdorim i rëndë  i besimit ndaj Shtetit, shkelje e detyrës, fshehje e krimeve, pengim i drejtësisë, mashtrim ndaj interesave financiare të Bashkimit Europian etj.

E konsideroj akuzën për “tradhti të lartë ndaj atdheut” një devijim nga parlamentarizmi dhe refuzoj të diskutoj përmbajtjen e tij. Qëllimi juaj është të rrëzoni qeverinë Mitsotakis- ka thënë në fjalën e tij kryeministri grek duke ripërsëritur se kjo akuzë nuk është gjë tjetër veçse rruga pa krye e një përpjekjeje për të sulmuar qeverinë dhe për ta çuar vendin në paqëndrueshmëri.

Në seancën plenare, janë vendosur 14 kuti votimi, një për secilin nga personat e propozuar për t’u dërguar në Komisionin Hetimor. Debati që ka filluar në orën 09:00 duhet të përfundojë jo më vonë se ora 21:00 e mbrëmjes. Menjëherë pas kësaj, do të fillojë procesi i votimit të fshehtë. Sipas parashikimeve, rezultati i votimit do të shpallet pas mesnate./ TCH

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull