Pas kontestimeve të opozitës për votën e diasporës dhe akuzave të tyre se votat u manipuluan, KQZ thotë se kompania postare u ka dorëzuar provat që vërtetojnë se çdo zarf është tërhequr me firmën e zgjedhësit.
Në një kthim përgjigje për shoqatën “Diaspora e Lirë”, KQZ thotë se janë në proces kontrolli të të gjitha firmave të zgjedhësve dhe ia kanë dorëzuar edhe Partisë Demokratike për Greqinë.
Ky standard thotë KQZ, është ndjekur edhe në rastin e Greqisë, duke shtuar se DHL ka zbatuar protokollin e dorëzimit për shpërndarjen dhe mbledhjen e zarfave dhe se disponon provën e dorëzimit për dërgesat e dorëzuara, të cilat mund të nxirren nga sistemi i tyre.
“Kompania DHL siguron se dërgesat janë procesuar në përputhje me procedurat standarde të cilat përfshijnë Direct Signature (firmosje të personit marrës) në dorëzim. (referuar shkresës protokolluar me tonën me nr. Prot., 4009/1, datë 12.05.2025).
Të gjithë marrësve të dërgesave/ votave pa përjashtim u është dërguar sms ose e- mail. Vetëm në rastet e mungesës së numrit të telefonit apo një emaili jo aktiv nuk është arritur të dërgohet njoftimi”, shkruan KQZ.
Ndërkohë, sa i takon Greqisë, KQZ thotë se nuk i kanë dhënë leje DHL-së ta nënkontraktonte procesin, duke theksuar se kjo ka qenë në shkelje të kontratës.
“Referuar termave të kontratës dhe termave të procedurës së prokurimit alternativa e nënkontraktimi është vendosur jo nga ana e autoritetit kontraktor/KQZ. Pra nuk është lejuar nënkontraktimi”, thotë KQZ.
Pyetjes nëse persona të tjerë kanë marrë dhe kanë dorëzuar me shumë zarfe se sa numri i anëtarëve të familjes, KQZ i përgjigjet duke thënë se jemi në proces verifikimit të firmave, por deri në këtë moment nuk është evidentuar ndonjë rast konkret.
“Aktualisht, procesi ndodhet në fazën e verifikimit të nënshkrimeve të personit/personave marrës në dorëzim. Deri në këtë moment, nuk është evidentuar apo denoncuar ndonjë rast konkret në KQZ që ngre dyshime për tejkalim të numrit të lejuar të zarfeve në raport me anëtarët e familjes votues. Çdo informacion i tillë, nëse paraqitet, do të trajtohet përmes procedurave të parashikuara për verifikim dhe hetim të pavarur”, thotë KQZ.