“Asnjë lek për bujqësinë shqiptare pa garancinë se fondet tona mbrohen”, BE “flet shqip”: Bllokimi i IPARD III mbetet, merreni seriozisht

3 Minuta Lexim

Edhe pse po bëhen 2 vite nga bllokimi i fondeve të IPARD për bujqësinë ende qeveria nuk i ka përmbushur ‘detyrat’ në mënyrë që Brukseli të zhbllokojë mbështetjen përmes IPARD III.

Një zyrtar i Komisioni Evropian i tha “Report TV” se nëse Shqipëria nuk mbrojtjen e fondeve të taksapaguesve të BE, financimi për bujqësinë nuk do të hapet.

“Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet”, thuhet në përgjigje.

Komisioni Evropian shprehet se kjo çështje duhet parë me prioritet nga autoritetet shqiptare, që të korrigjohen gabimet e së shkuarës në menaxhimin dhe përdorimin e fondeve të BE-së.

“Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje”, thotë KE.

Aktualisht KE thotë se është vënë në dijeni nga autoritetet shqiptare që po bëhet një auditim për pagesat e IPARD II.

“Një procedurë dypalëshe midis Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare është në vazhdim për të siguruar që veprimet e duhura korrigjuese të ndërmerren nga autoritetet kombëtare sa më shpejt të jetë e mundur. Në kuadër të kësaj procedure, Komisioni Evropian është informuar se qeveria shqiptare ka kontraktuar një firmë auditimi të jashtëm për të kryer një auditim të jashtëm gjithëpërfshirës mbi grantet dhe pagesat IPARD II, si dhe mbi sistemin e sapokrijuar të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm”, thotë KE.

Komisioni Evropian ndërpreu mbështetjen e bujqësisë shqiptare përmes fondeve të IPARD në gusht të 2023-shit për shkak se OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit), gjeti keqpërdorime serioze me fondet e programit te mëparshëm IPARD II, pas hetimeve që ata bën pas denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm për korrupsion, favorizime e ndërhyrje politike.

IPARD III të cilin e presin fermerët shqiptarë parashikon mbështetje prej 112 milionë euro në 9 fushat që do të mbështeten me fonde, si infrastrukturë rurale, ndërtim tregjesh, për Agro-përpunim apo Agro-turizëm, pylltari, asistencë teknike e këshillim.

Më 18 qershor 2025 Delegacioni i Komisionit Evropian dhe strukturat e IPARD, u rikthyen në Shqipëri për të analizuar raportet e monitorimit të fondeve që BE, jep për sektorin e bujqësisë në vend.

Delegacioni i BE u njoh me raportin përfundimtar të IPARD II si dhe me raportin vjetor për vitin 2024. Po kështu institucionet shqiptare (MBZHR, AZHBR) i kanë njohur me masat e marra për menaxhimin dhe për monitorimin e fondeve të IPARD.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull