Avokati: Procesi në Hagë, farsë e ndyrë juridike! Krerët e UÇK-së po gjykohen mbi bazën e shpifjes

3 Minuta Lexim

Haga nuk i hap rrugë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Trupi gjykues i Gjykatës Speciale e rrëzoi parashtrimin e përbashkët të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit për t’i hequr nga aktakuza të gjitha ngjarjet që sipas mbrojtjes nuk kanë ndodhur gjatë periudhës së konfliktit të armatosur.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se heqja e periudhës para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 do ta fragmentonte rastin.

12 qershori ka qenë afati i fundit kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë mundur të dorëzojnë mocionin për rrëzimin e akuzave.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së e ka konsideruar rastin e prokurorisë të dobët si dhe ka deklaruar se presin rezultat pozitiv në fund të këtij procesi gjyqësor, edhe pse diçka e tillë nuk ndodhi.

Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News u shpreh se gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka motive të pastra politike dhe se nuk ka asnjë provë që i bën ata përgjegjës për krime lufte.

Sipas tij, ish-krerët e UÇK-së po gjykohen mbi shpifje dhe intriga, që janë fabrikuar nga shërbimi sekret serb.

“Është një gjyq për motive politike. Ata bënë një luftë të drejtë dhe luftuan për çlirimin e Kosovës dhe ia arritën. Ata që ndihmuan shumë dhe ishin fakte nga më të rëndësishmet, sepse ishin pushkët e UÇK, që e çuan NATO të futej në Kosovë dhe ta çlironte atë.

Futja e NATO ishte rrjedhojë e UÇK-së. Vendimi i sotëm jo vetëm është një farsë, por është një farsë e ndyrë juridike. Kanë dalë prova dhe fakte që kanë rrëzuar akuzat. Ata po gjykohen mbi shpifjen dhe intrigat e shërbimit serb. Ata [serbët] duan të shfajësohen duke pretenduar se ato janë viktimat dhe jo agresorët”, theksoi ai.

Avokati u shpreh se qëndrimin i kryeministrit Albin Kurti ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i dyshimtë.

Sipas tij, kjo qeveri duhet të bënte gjithçka për të liruar njerëzit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse nuk ka asnjë provë që i bën ata fajtorë për krime lufte.

“Qeveria Kurti, sa i përket qëndrimit që po mban me krerët e UÇK dhe luftën, po mban qëndrim të dyshimtë dhe nuk i ka hije”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull