“Basha nuk ka marrë asnjë lekë për pallatin e prishur”. Si Rama hodhi poshtë legjendën e berishistëve

2 Minuta Lexim

Në rubrikën e tij “Sy më sy”, kryeministri Edi Rama iu përgjigj një prej komentuesve që, ndër të tjera, shkruante: “Shumë mirë e dëmshpërbleve Lulin dhe vjehrrin e tij për pallatin në Ujë të Ftohtë”, duke iu referuar çështjes së godinës së shembur në qytetin e Vlorës në vitin 2013, në pronësi të vjehrrit të Lulzim Bashës.

Për këtë çështje, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka rrëzuar qeverinë shqiptare, duke vendosur në mënyrë unanime se ajo ka shkelur të drejtat e njeriut dhe duke urdhëruar dëmshpërblim për familjarët e prekur nga prishja e pallatit.

Siç pranoi edhe kryeministri Rama në komunikimin e tij të sotëm, asnjë dëmshpërblim nuk është dhënë dhe nuk do të jepet për këtë çështje, për sa kohë ai është në pushtet.

Ky qëndrim hedh poshtë akuzat e përhapura nga njerëz pranë Berishës, të cilët kanë pretenduar se Basha ka përfituar nga kjo çështje me qëllim diskreditimin e tij në përplasjen e brendshme brenda Partisë Demokratike.

“Për një rast tjetër specifik, për çështjen e dëmshpërblimeve për ndërtimet pa leje… Kur të vijë Luli në pushtet, le ta bëjë. Ka shumë të tjerë para Lulit për dëmshpërblim. Sa të jem unë, kjo nuk do të ndodhë. More Lul, ku je mor artist, u bë shumë kohë që s’të shoh. S’më ndoqe që s’më ndoqe, mbete atje, te 7 herë 7!”, u shpreh Rama.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull