Bashkimi Europian, përmes Bordit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor, ka miratuar një paketë investimesh për 3 shtete të rajonit tonë.
Paketa prej 87.7 milionë Eurosh është miratuar për Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi.
Ky fond do të përdoret për të investuar në energjinë e rinovueshme.
Lajmi është bërë i ditur nga zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.
Në Shqipëri, fondet do të përdoren për të përmirësuar sistemin e transmetimit të energjisë, digjitalizimin e nënstacioneve për rritjen e kapacitetit dhe uljen e humbjeve në rrjet.
Investimet do të prekin edhe HEC-in e Fierzës, për përmirësimin e sistemeve.
Gjithashtu do të investohet edhe në linjën ajrore të transmetimit Rrashbull-Unaza e Tiranës.
Paketa 87.7 milionë euro për 3 shtetet e Ballkanit është dhënë në kuadër të planit të rritjes së BE-së për Ballkanit Perëndimor, për të përforcuar rrjetet energjetike, përmirësuar hidrocentralet ekzistuese dhe për panelet diellore.