Çfarë bëra dje?

2 Minuta Lexim
Nga Çun Lajçi-
Në sheshin e një kryeqyteti – për çfarë e zbraza mllefin?
Kë luajta? Vetveten? Budallain? Të çmendurin? Lakmitarin? Gjahtarin në errësirë? Kukuvajkën? Apo artistin që e thotë të vërtetën për njeriun që nuk ngopet me pushtet, që nuk ngopet me pasuri, që thithë djersën e huaj?
Dje bëra teatër me librat e mi.
– Sa i çmendur jam!
I hodha në zemrën e një qyteti dhe u fola si Mark Antoni, jo, si Anton Qetta, urtë e butë.
Librave u fola – jo njerëzve, sepse njerëzit do t’zemëroheshin e do t’më përqeshnin.
Zgërdhiheshin njerëzit me sjelljen time.
“Ha-ha-ha… Qenka çmendur artisti!” – thoshin.
I vetmuari po kacafytet me librat që askush s’ia lexon!”
Po!
Librat i hidhja para këmbëve të njerëzve që shëtisnin poshtë e lart, pa ditur cakun e qëllimin.
Librat ishin personazhet e poetit Ali Asllani. Ato ishin maskarenjtë, pushtetarët me maska, me makina luksoze e vila buzë detit e në qafë të malit.
Zogëzat këmbëholla e qafëgjata.
Barkalecët që tallen me një popull – dhe pastaj kërkojnë që po ai popull t’i thërrasë luftëtarë e patriotë!
Më njihnin – por nuk donin të më njihnin.
Më shihnin – por nuk donin të më shihnin.
Me konsideronin për spiun, agjent, bashkëpunëtor i të huajve – i shkjaut, i rusit, i francezit. Me merrnin për pianec, narkoman, shizofren…
Jo se jam, por sepse shqiptari është rritur dhe ka vdekur me frikën e mynafikut.
Dhe vetëm ata i ka dashur – sepse vetëm atyre u është frikësuar!
Dje bëra teatër në një qytet pa lumë, me një shesh të lavruar – nga kryetari i komunës!
Pa pushtet, pa teatër, pa kinema…
Por me rrugë e rrugica të mbushura me kafshë të urta – që tërbohen kur u mungon uji!
Lehin qentë,
lehin artistët si unë…
Dhe kalimtarët pyesin:
– Kush janë kafshët që kafshojnë?
Artisti që s’pyet për Albinin? Ramushin? Fatmirin … ?
Apo qentë endacakë – pa pronar, por me dhëmbë?

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull