Etje për pushtet apo frikë e pasiguri?

3 Minuta Lexim

Nga Çapajev Gjokutaj-

“Mike në të kam për mike,/ kur të des të bëneç qiqe,/ të më qash brigje më brigje,/ her’ me vaj e her’ me ligje”. Nuk di pse m’u kujtua kjo këngë e vjetër sot në mëngjes kur po pija kafenë. Mbase nga që prej së largu dëgjoheshin dy guguftu që alternonin njera-tjetrën dhe ngjanin se po fjaloseshin.
Kënga e guguftusë dhe, ca më shumë ajo e qyqes, kanë diçka nga vajtimi, paçka se ornitologët thonë se janë kryesisht thirrje për të joshur partnerin a partneren, me një fjalë s’kanë gjë të përbashkët me vdekjen, përkundrazi jetësohen si pjesë e aktit të dashurisë.
Edhe vargjet që përmenda këndohen e citohen si lirikë dashurie. Dashuri i thënçin, në fakt kemi të bëjmë me një maço që nuk i këndon dashurisë po kënaq egër egon e tij,
Nuk mjafton që vë në dyshim dashurinë e partneres (në të kam mike, nëse më do me të vërtetë e jo me të shtirur), po i kërkon ta qajë e të rrënqethë dynjanë. Kënga vaj të ushtojë gjithandej, se ka vdekur jo kushdo po dashnori me ego të pashuar, burri që ashtu si Adhamudhi i Çajupit përfytyron qysh në gjallje pikëllimin që do sjellë vdekja e tij.
Dhe mikja, dmth e dashura, duhet të bëhet qyqe, shpend kryesisht i murmë, që në përfytyrimin popullor e kalon jetën duke vajtuar.
Mbajtja e zisë pas vdekjes së dikujt ka qenë mjaft e kodifikuar, si për gratë dhe për burrat, por çuditërisht rënndonte sidomos mbi gratë. Këto, si rregull e kalonin shumicën e kohës veshur në të zeza, se jeta ishte jetë e vdekjet vinin njera pas tjetrës, kurse familja ishte e madhe e lidhjet fisnore shumë të forta, ndaj duhej të mbaje zi për të gjithë.
Nuk e di sesa kam të drejtë, po zakoni i veshjes së grave me të zeza a me ngjyra të murme thuajse vazhdimisht dhe për një pjesë të mirë të jetës, ka qenë një lloj mbulimi i hireve femërore, një variante ferexheje pa pohë e pa bujë.
Mesa duket patriarkati, ashtu si maçua i këngës që i kërkon të dashurës të bëhet qyqe, s’linte gjë pa bërë për të siguruar pushtetin e burrit dhe nënshtrimin e grave e të fëmijëve. Dhe s’di të thuash ku mbaronte dëshira për pushtet e për kontroll dhe ku fillonte frika e pasiguria e burrrrit🫣🤠

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull